Ndërlidhjet

logo-print

Kosova nuk arriti të startojë me kodin e ri telefonik as në mars të këtij viti, ashtu siç ishte premtuar pas negociatave të gjata rreth kësaj çështjeje në Bruksel.

Marrëveshja ishte që një palë e tretë, në këtë rast Austria, të aplikonte tek Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Serbia ka bllokuar marrëveshjen për kodin telefonik të Kosovës.

“Në përgjithësi në krejt këtë proces të dialogut në Bruksel ku janë arritur shumë marrëveshje, pjesa që nuk është zbatuar apo zbatohet pjesërisht është me fajin e Serbisë e cila nuk i ka përmbushur obligimet zbatuese të dialogut”.

“Sa i takon Kosovës si palë në këto bisedime, të gjitha obligimet tona i kemi kryer më kohë dhe cilësi. Sa i përket kodit telefonik, veprimi konkret në praktikë është bllokuar për shkak se Serbia nuk i ka kryer disa obligime”, ka theksuar Tahiri.

Ministrja Tahiri, ka ritheksuar se Austria tashmë ka aplikuar në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacion. Sipas saj, kodi telefonik i Kosovës do të jetë 383 dhe se ai i mundëson Kosovës njohje dhe sovranitet ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit.

Përveç kodit telefonik, Tahiri ka fajësuar autoritetet serbe për moszbatimin e marrëveshjeve tjera, përfshirë edhe atë për energjinë.

Ndërkohë, Milovan Dreçun, kryetar i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se për çështjen e kodit të telefonisë autoritetet në Prishtinë nuk po i përmbahen marrëveshjes së Brukselit.

“Sa i përket kodit telefonik, marrëveshja nuk është që Prishtina si e pavarur të kërkoj kodin, i cili u ndahet shteteve”, ka thënë ai.

Aktualisht në Kosovë ekzistojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.

Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë, e për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.

Drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se mungesa e kodit telefonik, Kosovës po vazhdon t’i shkaktojë kosto të lartë.

“Çdo muaj që kalon ne kemi një kosto të lartë operative për shkak të mungesës së kodit shtetëror dhe ajo kosto sillet prej 3.5 milionë euro kosto direkte që paguan kodin e Monakos dhe janë kostot variabile që ndryshojnë varësisht nga volumi i trafikut që marrim brenda një viti nga thirrjet ndërkombëtare e që kalojnë përmes Monakos dhe ajo kosto është 6 deri në 8 milionë euro në vit”, sqaron Latifaj.

Derisa, sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik kanë arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

Në anën tjetër, zyrtarët e Telekomit të Kosovës kanë treguar për Radion Evropa e Lirë se kishin filluar përgatitjet për kalimin në kodin telefonik shtetëror qysh nga marsi i këtij viti, kur edhe ishte premtuar se Kosova do ta ketë kodin e vet.

Përgatitjet, sipas drejtori teknik të Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj kishin filluar të bëhen pasi që me marrjen e kodit të ri telefonik duhet të bëhen shumë ndryshme teknike dhe konfigurime.

Ai tregon që për kalimin në kodin e ri telefonik duhet një fazë transitore më shumë se një vit .

“Gjatë fazës së trazicionit praktikisht planifikohet është e domosdoshme të punohet me më shumë kode , duke përdorur këto kodë aktuale dhe duke e shtuar edhe kodin e ri telefonik shtetërorë që është 383 dhe kjo do të zgjasë 1 vit e gjysmë. Është një kohë kur duhet të propagandohet kodi i ri Kosovës dhe të zbatohet nga të gjithë operatorët telekomunikues ndërkombëtarë në mënyrë që të mund të realizohen thirrjet”, sqaron Latifaj.

Një kohë të gjatë, shton Latifaj, do të merr edhe ndërrimi i mbi 1 milionë sim kartelave të konsumatorëve.

Ndryshe, sipas marrëveshjes së Brukselit dhe deklaratave të zyrtarëve të institucioneve, pavarësisht se aplikimin për kodin telefonik do ta bënte Austria, shteti i Kosovës nuk do të ngarkohej me obligime financiare për këtë shërbim.

Në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, si kompromis ishte paraparë që një vend i Bashkimit Evropian të aplikonte për Kosovën. Austria kishte dalë si vullnetare për ta ndihmuar Kosovën në këtë fushë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG