Ndërlidhjet

Demarkacioni me Malin e Zi, hendek në politikë


Harta e Kosovës

Harta e Kosovës

Përfaqësuesit e banorëve të brezit kufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdojnë t'ju bëjnë thirrje autoriteteve të vendit që të gjejnë një zgjidhje tjetër për shënjimin e vijës kufitare me shtetin fqinj.

Ata thonë se marrëveshja e arritur vitin e kaluar në Vjenë, ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Malit të Zi, nuk është e pranueshme, pasi që siç deklarojnë banorët, një pjesë e madhe e tokave të Kosovës mbete jashtë territorit të Kosovës.

Ali Lajçi, përfaqësues i banorëve të fshatrave të brezit kufitar me Malin e Zi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se para se ekzekutivi i vendit të procedojë Projektligjin për ratifikim të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duhet të arrijë një pajtim gjithëpërfshirës me banorët e asaj ane dhe me partitë politike.

"Pa një konsensus [marrëveshja] nuk duhet të shkojë në Kuvend. Nëse nuk ka konsensus nga të gjitha grupet, nuk është në rregull të shkojë në Kuvend e të bëhen përçarje e kriza politike. Nëse, zgjatet procesi i liberalizimit të vizave, nuk bëhet kiameti. Kushtëzimi është jashtëzakonisht i dëmshëm dhe jo korrekt nga ana e faktorit ndërkombëtar. Kjo punë duhet të zgjidhet ngadalë, e me kujdes. Ai variant[ ekzistuesi] nuk shkon", thotë Lajçi.

Qeveria e Kosovës nuk e ka proceduar ende në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për ratifikim të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Partitë politike opozitare thonë se marrëveshja si e tillë, pa ndryshime, nuk mund të kalojë në procedurë të ratifikimit.

Pal Lekaj, nënkryetar i AAK-së, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht disa takimeve që janë zhvilluar, nuk ka ndonjë përafrim për të arritur ndonjë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës që marrëveshja, si e tillë të ratifikohet.

"Ne qëndrojmë në pozitat e njëjta. Dhe, përkundër asaj që kemi pasur takime të dyanshme, tri-anshme me ndërkombëtarët, mirëpo derisa Qeveria nuk lëviz pozitivisht që të anulojë marrëveshjen dhe ta rinegociojë, ta shkarkojë komisionin që ka kryer punën e demarkacionit, ne qëndrojmë në të njëjtat pozita dhe me të njëjtën kërkesë", shprehet Lekaj.

Ndërkaq, Frashër Krasniqi nga Vetëvendosje, për Radion Evropa e Lirë shpjegon se ky subjekt politik është i interesuar që çështja e demarkacionit me Malin e Zi të zgjidhet, por jo në dëm të territorit Kosovës.

"Nuk do të pranojmë dhe nuk do të lejojmë ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe do të angazhohemi maksimalisht për parandalimin e saj", deklaron Krasniqi.

Zyrtarët e Larët të Qeverisë së Kosovës, por edhe ata të Kuvendit të Kosovës, në vazhdimësi u kanë bërë thirrje partive politike opozitare që paraprakisht të ulen dhe të gjejnë një pajtim para se Kuvendi të procedojë ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje mbetet çështja kryesore për fillimin e zbatimit të liberalizmit të vizave për Kosovën.

Komisionari për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, pas një takimi që ka zhvilluar gjatë kësaj jave me krerët e partive në pushtet dhe atyre në opozitë, ka deklaruar se pa zgjidhjen e çështjes së demarkacionit kufitar me Malin e Zi, nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG