Ndërlidhjet

logo-print

Fuqizimi i gruas në funksion të luftimit të ekstremizmit


Ilustrim

Ilustrim

Roli i gruas në dialogun ndërfetar është i madh, ndërkaq pa gruan e emancipuar nuk do të ketë suksese në luftën kundër ekstremizmit, është thënë të mërkurën në Prishtinë, në Konferencën ndërkombëtare për promovimin e dialogut ndërfetar.

Kjo konferencë po mbahet për herë të pestë në Kosovë dhe tema bosht e këtij edicioni është "Roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftën kundër ekstremizmit."

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili u është drejtuar të mërkurën pjesëmarrësve në konferencë, ka thënë se qeveria e Kosovës po punon në forcimin e ekonomisë, që si rrjedhojë do ta kishte edhe forcimin pozitës së gruas, si dhe pavarësinë e saj në familje.

“Roli i grave padyshim që është thelbësor në promovimin e dialogut, para së gjithash në nivel të familjes, e pastaj edhe në nivel të shoqërisë. Por, po ashtu, edhe sinjalet e para të radikalizmit të individëve vërehen në familje, vërehen tek prindërit, vërehen tek nënat. Është e domosdoshme që familja të jetë shtyllë thelbësore e ndërtimit të vendit."

"Tani ne kemi nevojë që të ndërlidhim shumë më shumë familje me shkollën dhe me institucionet tjera edukative, e më pas ta lidhim edhe me institucionet tjera shoqërore, në mënyrë që ajo të jetë shtyllë e rëndësishme e ndërtimit të shoqërisë”, ka thënë Mustafa.

Në këtë konferencë po merr pjesë edhe nobelistja iraniane, Shirin Ebadi. Ajo, ditën e martë, ka theksuar se edukimi i të rinjve dhe femrave është mjaft i rëndësishëm në luftë kundër ekstremizmave.

Duke folur për diskriminimin e rëndë ndaj gruas në shtetet myslimane, Ebadi tha se "nuk është Islami ai që i shtyp gratë, por interpretimi i islamit nga shoqëritë patriarkale".

"Prandaj, të rinjtë duhet t'i mësojmë me interpretimet e drejta të Islamit. Duhet t'i mësojmë të rinjtë se duhet t'i përmbahen shpirtit të Islamit, dhe se duhet ta zbatojnë atë varësisht nga koha kur jetojmë. Sikur që më nuk udhëtojmë me deve, ngjashëm duhet edhe zakonet tona të përputhen me këtë shekull", tha Ebadi.

Ajo theksoi se shoqëritë patriarkale ndalojnë reformimin e islamit, sepse me interpretimin e saj të islamit "arsyetojnë veprimet e tyre dhe sjelljet e tyre”.

Por, si e shohin vetë gratë rolin dhe pozitën e tyre në komunitetin fetar përkatës, por edhe brenda vet shoqërisë në Kosovë?

Besa Ismajli i takon besimit islam dhe është profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Islame në Prishtinë. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se çështja e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar është temë që diskutohet në mjaft forume dhe sipas saj, terrorizmi fillon me individin.

Por, siç thotë ajo, për t'u përballur me këtë fenomen, shoqëria duhet të fokusohet te zhvillimi i individit dhe zhvillimi i ndjesisë së përkatësisë së tij. Në këtë pikë, sipas saj, gratë kanë rol esencial, por për ta realizuar këtë rol, ato duhet të jenë të fuqizuara në aspektin gjinor.

“Ne shohim, për shembull, viktimat e para të kësaj pabarazie gjinore që janë gratë që iu bashkëngjiten burrave të tyre për të shkuar në Siri. Ato gra, po të ishin të fuqizuara, të shkolluara, po ta kishin një punë, ta kishin ndjenjën e përkatësisë të zhvilluar, ta kishin ndjenjën e lidhur edhe sociale me shoqërinë e Kosovës, a do ta braktisin familjen e tyre për të shkuar atje? A do t’i bashkëngjiteshin një çmendurie sikur ajo, apo do të ishin në gjendje t’i thoshin burrit 'Jo’? Këso lloj grash ne nuk guxojmë të lejojmë që t’i ketë Kosova”, ka thënë Ismajli.

Greta Kaçinari, ish-punonjëse e arsimit, e cila i takon besimit të krishterë katolik, thotë për Radion Evropa e Lirë se gratë brenda komunitetit katolik në Kosovë e kanë të drejtën e barabartë të shprehjes dhe u është dhënë hapësira për ta zhvilluar rolin e tyre në shoqëri. Por, sipas saj, ato vet nuk e shfrytëzojnë mjaftueshëm këtë të drejtë.

“Në të vërtetë, ne i bartim pasojat e shoqërisë patriarkale, ku fjalën kryesore në familjet e mëdha e kishte vetëm mashkulli, duke u bazuar në kanunet që i kemi dhe të cilat janë ende mjaft prezent dhe në fuqi. E gjitha ka ndikuar te gratë, të cilat besimin e vet te Zoti e kanë në mënyrë individuale, por kur kanë të bëjnë me komunitetin, atëherë iu përmbahen rregullave tradicionale”, thotë Kaçinari.

Konferenca ndërfetare mblodhi sivjet në Prishtinë mbi 300 pjesëmarrës nga 50 shtete të botës. Gjatë punimeve të konferencës, një çmim i Kosovës për dialogun ndërfetar do t’i ndahet kryetarit të ri të Londrës, Sadiq Khan dhe themeluesit të shoqërisë Sant Egidio, Monsinjor Vincenzo Paglia. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG