Ndërlidhjet

Nën kërcënimet terroriste dhe të grevave nis Euro 2016


Ilustrim
Ilustrim

Me ndeshjen midis Francës dhe Rumanisë të premten nis Kampionati Evropian i Futbollit Euro 2016. Ngjarja e madhe sportive do të zhvillohet në dhjetë stadione të Francës dhe do të zgjasë një muaj.

Franca mbetet në gjendje të jashtëzakonshme pas sulmeve të nëntorit të kaluar në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 130 veta.

Mbi 90,000 policë, ushtarë dhe agjentë privatë do të kujdesen për sigurinë gjatë turneut, ndërsa rreth 2.5 milionë spektatorë pritet të ndjekin 51 ndeshjet.

Qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe kanë paralajmëruar shtetasit e tyre se mund të përballen me rreziqe. Por, organizaorët kanë thënë se kanë bërë gjithçka të mundur për të garantuar siguri të lartë.

Përveç kërcënimit terrorist, autoritetet franceze janë detyruar po ashtu të merren me kushte ekstreme të motit dhe protesta kundër reformave të ligjit të punës.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se do të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për të siguruar se grevat në sektorin e transportit nuk e pengojnë turneun.

“Shërbimet publike do të sigurohen dhe shteti do t’i marrë të gjitha përgjegjësinë”, ka thënë ai.

Kompania ajrore franceze Air France ka paralajmëruar greva nga e shtuna, ndërsa punëtorët e pastrimit kanë lënë plehrat pa i mbledhur.

Kapiteni i Francës, Hugo Lloris, ka thënë se vendi i tij duhet të tregojë një imazh të mirë.

Trajneri i kombëtares rumune, Anghel Iordanescu, ka folur po ashtu në prag të ndeshjes së parë midis Rumanisë dhe Francës.

“Është e qartë se lojtarët tanë do të dalin përballë një shtëpie të tërë, një vendi të tërë. Mendoj se Franca ka humbur vetëm një nga dhjetë ndeshjet e saj. Marrë parasysh kapacitetet e lojtarëve tanë, mendoj se Franca është një nga të preferuarat e këtij turneu”, ka thënë Iordanescu.

Federata Evropiane e Futbollit ka konfirmuar se të 24 ekipet pjesëmarrëse kanë arritur tashmë në Francë.

Spanja shpreson për titullin e tretë radhazi, por Gjermania është kampione botërore dhe Franca ka fituar kur ka organizuar turneun në vitin 1984. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG