Ndërlidhjet

Pengesat në punën e Prokurorisë Speciale


Ministria e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë

Anulimi i të gjitha faljeve të zyrtarëve nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i ka hapur rrugën Prokurorisë Speciale t’i hetojë të gjithë funksionarët e lartë shtetërorë, të dyshuar për vepra të rënda penale.

Mirëpo, që puna e saj të mos pengohet, nevojiten edhe vendime tjera, para së gjithash nga Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të vendosë nëse Ligji për themelimin e Prokurorisë Speciale është në pajtueshmëri me aktin më të lartë juridik në vend, Kushtetutën.

Një vendim i tillë duhet të sillet duke marrë parasysh një nismë që tani disa muaj ka mbetur në sirtarët e Kushtetueses, lidhur me punën e Prokurorisë Speciale. Nisma është bërë nga një zyrë avokatie e afërt me VMRO-në në pushtet dhe besohet se do të aktivizohej nga Gjykata kushtetuese me shfuqizimin e Ligjit për themelimin e Prokurorisë, në rast se ajo do të zyrtarizonte paditë ndaj zyrtarëve të partisë së Gruevskit.

Ky i fundit të premten është marrë në pyetje lidhur me një aferë korruptive nga shumë të tilla që besohet të jetë përfshirë.

Bekim Kadriu, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, thotë se pa e definuar çështjen e Prokurorisë Speciale, nuk mund të priten rezultate konkrete në punën e saj.

“Prokuroria speciale, përfundimisht, ka hasur në obstruksione, duke përfshirë aty presidentin e shtetit, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Penale, si dhe gjykatat dhe prokuroritë tjera, të cilat jo vetëm që nuk bashkëpunojnë në bazë të ligjit, por edhe e pengojnë dhe bëjnë obstruksione në punën e Prokurorisë”.

“Veç kësaj, para Gjykatës Kushtetuese ekziston edhe një iniciativë për ligjin, me të cilin është themeluar Prokuroria Speciale që po ashtu është problematik për shkak se në një situatë të ndjeshme, në të cilën ndodhet Maqedonia, do të ishte shumë e drejtë që Kushtetuesja sa më parë të dalë me qëndrim lidhur me kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale".

"Kjo, për shkak se në opinion qarkullojnë zëra se këtë nismë Gjykata Kushtetuese e mban si rezervë me qëllim që procedurën ta iniciojë kur ta shohë ajo të arsyeshme - gjë që nuk është në rregull për shkak se kjo krijon pasiguri juridike duke ditur përvojën me Gjykatën Kushtetuese”, thotë Kadriu

Ai përmend pikërisht rastin me faljen e zyrtarëve nga ana e presidentit, që i parapriu një vendim të kësaj gjykate, e cila i ofroi Ivanovit bazën ligjore që të bëjë faljet dhe me këtë të bllokojë punën e Prokurorisë Speciale.

Nga Gjykata Kushtetuese nuk janë prononcuar lidhur me kërkesat që sa më parë të shqyrtojnë nismën për punën e Prokurorisë Speciale, ndërkohë që një nga planet e opozitës për dalje nga kriza, është pikërisht puna e papenguar e Prokurorisë, për vazhdimin e hetimeve të të gjitha rasteve që kanë dalë nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

Opozita, por edhe shoqëria civile u kanë dhënë afat institucioneve, e në veçanti Kushtetueses që deri më 19 qershor të miratojë vendimin për Prokurorinë Speciale, në të kundërtën, kanë kërcënuar me veprime radikale.

Ekspertë për çështje juridike thonë se, krahas Prokurorisë Speciale, duhej themeluar edhe një Gjykatë Speciale, që të mos paraqiteshin pengesa të natyrës aktuale, kur me të gjitha format pengohet hetimi i zyrtarëve.

“Pa një Gjykatë Speciale, vlerësoj se të gjitha lëndët mund të dështojnë për shkak se Prokuroria, institucionet e ndjekjes vetëm se vërtetojnë dyshimet, apo argumentojnë që ekzistojnë për procese të caktuara dhe në këtë rast nuk shpresoj se do të ketë ndonjë akt final. Pra, më tepër kemi të bëjmë me vepër artistike apo aktrim, se sa me diçka reale. Kemi parasysh se 80 për qind e gjykatësve janë të emëruar në baza partiake, andaj edhe nuk mund të presim ndonjë rezultat, të cilin realisht e pret opinioni”, thotë Bashkim Selmani, ekspert i procedurës së ndjekjes penale.

Ai shton se në rast se nuk mund të themelohet një Gjykatë Speciale, atëherë të paktën duhet themeluar një departament special në kuadër të gjykatave ekzistuese, që kryesisht do të merrej me gjykimin e rasteve që po hetohen nga Prokuroria Speciale.

Zyra e prokurores Katica Janjeva, e cila ka mbështetjen e fuqishme nga bashkësia ndërkombëtare, aktualisht po heton 56 zyrtarë të lartë, përfshirë ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-së në pushtet, dy ish -ministra, ish-drejtorin e policisë sekrete, si dhe shumë funksionarë të tjerë. Prokuroria Speciale deri më tani kanë kërkuar 20 masa ndaj tyre përfshirë paraburgime, arreste shtëpiake, konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit, mbikëqyrjen e lëvizjes së tyre, por të gjitha këto janë hedhur poshtë nga gjykatat që besohet se kontrollohen nga partitë në pushtet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG