Ndërlidhjet

logo-print

Nderime për deputeten e vrarë britanike

  • RFE /RL

Zyrtarë nga e gjithë kanë shprehur ngushëllime për deputeten laburiste të Britanisë, Jo Cox, e cila ka vdekur pasi është qëlluar dhe therur me thikë.

Cox, 41 vjeçe, është sulmuar në rajonin Birstall të Britanisë të enjten.

“Ajo ka pasur një histori të jashtëzakonshme, duke u kujdesur për refugjatë. Ajo ka qenë tej mase e interesuar për të gjetur mënyrat se si të kujdesemi për refugjatët sirianë. Ka qenë një yll i ndritshëm, nuk ka dyshim për këtë”, ka thënë kryeministri britanik, David Cameron.

Udhëheqësi i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, ka thënë se dhuna nuk është përgjigje për asgjë.

“Kemi humbur një grua të mrekullueshme, kemi humbur një anëtare të mrekullueshme të Parlamentit, por demokracia jonë do të vazhdojë. Puna saj do të vazhdojë. Do të punojmë me kujtimin e saj, për të arritur atë botë më të mirë që ajo ka dashur ta arrijë”, ka thënë Corbyn.

Sulmuesi i saj raportohet se ka bërtitur “Britania duhet të jeë e para”. Një 52-vjeçar, i identifikuar si Tommy Mair, është arrestuar.

Në mesin e atyre që kanë nderuar zonjën Cox ka qenë edhe Hillary Clinton, kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara. “Është e dhimbshme dhe e tmerrshme që jeta e saj është ndërprerë”, ka thënë Clinton.

Një tjetër politikane amerikane, Gabrielle Giffords, e cila ka qenë vetë viktimë e një përpjekjeje për ta vrarë në vitin 2011, ka thënë se është e trishtuar nga vrasja. Giffords ka shkruar në Twitter se Cox “ka qenë e re, e guximshme dhe punëtore”.

“Është një sulm mbi secilin që brengoset dhe ka besim në demokraci”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Prej vitit 1990, Cox është deputetja e parë britanike në detyrë që vritet. Para 26 vjetësh është vrarë Ian Gow nga grupet terroriste të Irlandës Veriore.

Britania është në prag të referendumit për anëtarësinë në Bashkimin Evropian dhe të dyja kampet kanë pezulluar fushatat për shkak të vrasjes së deputetes Cox. Kjo e fundit ka qenë e zëshme duke lobuar për mbetjen e Britanisë në BE.

Cox ka qenë e martuar dhe ka lënë dy fëmijë.

Një zëdhënës i Pallatit Bukinghem ka thënë se Mbretëresha britanike do t’i shkruajë privatisht bashkëshortit të zonjës Cox.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG