Ndërlidhjet

logo-print

Komuna duhet ta zbatojë vendimin e Kushtetueses për pronat e Manastirit


Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili i njeh të drejtën e pronësisë së Manastirit të Deçanit me mbi 24 hektarë tokë, duhet të zbatohet dhe nuk mund të ketë kthim prapa.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë obligim dhe ato duhet të zbatohen.

Deklaratat e Ministrisë pasuan një numër reagimesh e protestash të qytetarëve të Deçanit, të organizuara nga kryetari i komunës dhe të mbështetura nga subjektet politike, të cilat kundërshtuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit.

"Lidhur me këtë çështje ka vendosur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me Aktgjykimin Nr. ref.: AGJ943 / 16, vendim i cili është përfundimtar dhe i formës së prerë.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të obligueshme, prandaj edhe Komuna e Deçanit është e obliguar të zbatojë këtë vendim", thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Por, ndërkohë, autoritetet lokale në Komunën e Deçanit thonë se janë të vendosura që të mos e pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për pronat e Manastirit.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, tha se qytetarët e Deçanit janë të pakënaqur me vendimin e gjykatës dhe siç tha ai protestat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen kundër këtij vendimi. Selamanaj vendimin e Gjykatës Kushtetuese e quan të padrejtë dhe politik.

"Është një vendim i ndikuar nga politika. Është një vendim që nuk është dashur të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për faktin se kjo ka qenë lëndë e cila është dashur të trajtohet në Gjykatën Komunale të Deçanit dhe si të tillë nuk e pranojmë dhe nuk e zbatojmë se është shkelje e ligjit. Mbi të gjitha është një vendim diskriminues për faktin se Gjykata Kushtetuese e Kosovës arrin të legjitimojë një vendim të Qeverisë së Serbisë të vitit 1997", tha Selmanaj.

Kryetari i Deçanit tha se beson që me asnjë ligj dhe me asnjë vendim nuk mund t'i falen Manastirit pronat.

"Institucionet qendrore sikur të kishin qenë në nivelin e detyrës ky vendim nuk do të ndodhte. Mirëpo duke i përkrahur në heshtje dhe në forma të tjera ja që ka ndodhur një vendim i tillë i cili duhet të kthehet mbrapa. Nëse duam ta respektojmë ligjin dhe drejtësinë në këtë atëherë këto ndërmarrje publike sikur edhe ndërmarrjet e tjera ishte dashur të dalin në privatizim. Por, meqenëse problemin e kanë shndërruar nga ai i drejtësisë në atë politik ne mbesim të hapur për zgjidhje politike. Por, zgjidhja politike në asnjë variant nuk është me i fal pronat manastirit të Deçanit", tha Selmanaj.

Një numër deputetësh në Kuvendin e Kosovës ndërkaq, e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si diskriminues dhe të padrejtë dhe kanë kërkuar rivlerësimin e tij përmes një vendimi të Kuvendit.

Por, ndërkohë në një deklaratë të saj të mëhershme Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës duke vlerësuar se ajo ka treguar “kompetencë dhe gatishmëri për të sjellë një vendim të paanshëm me të cilin përgjithmonë mbrohet e drejta pronësore e Manastirit mbi këtë tokë”.

Dioqeza ka deklaruar se vendimi i Gjykatës është I një rëndësie të veçantë për ruajtjen e manastirit I cili gjendet në listën e objekteve të kulturës botërore të UNESCO dhe njëkohësisht ka deklaruar se “edhe në kushtet e sotme në Kosovë dhe Metohi është e mundshme që të mbrohen të drejtat dhe të ruhen interesat jetike”. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG