Ndërlidhjet

Të rinjtë, për dhe kundër studimeve në distancë


Ilustrim ©Shutterstock
Ilustrim ©Shutterstock

Studimi në distancë është një fushë e arsimit që ka nisur vite më parë, e që fokusohet në metoda të mësim-nxënies nëpërmjet formës elektronike apo me anë të teknologjisë.

Kjo formë e studimit u jep mundësi studentëve që të ruajnë vendin e tyre punës, por njëkohësisht të aftësohen dhe të zhvillojnë njohuritë e tyre.

Edhe të rinjtë në Kosovë e kanë këtë mundësi, por jo të gjithë e preferojnë këtë metodë të studimit.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Të anketuarit për rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, thonë se studimet në distancë janë një mundësi e mirë, megjithëkëtë konsiderojnë se pjesëmarrja edhe fizike në ligjërata e ushtrime të bën më të angazhuar.

Monda Beqiri, nxënëse e shkollës së mesme “Sami Frashëri”, thotë se mundësia e studimit në distancë është e mirë për të rinjtë, në përgjithësi.

“Është një mundësi e mirë, edhe më e lehtë, edhe më e thjeshtë. Je afër familjes, studion dhe e përfundon shkollimin. Ne e dimë se tash teknologjia ka përparuar Ne më shumë në telefona po shpenzomë kohën edhe nuk besoj që ka ndonjë dallim të madh me atë që shkojmë në shkollë dhe e dëgjojmë profesorin. Më shumë nuk e dëgjojmë se sa që dëgjojmë. Pra, kur e ke një ligjëratë në telefon, ndoshta ke më shumë dëshirë ta lexosh apo dëgjosh”, thotë Monda.

Ernisa Krasniqi parapëlqen studimin në distancë. Ajo thotë se për të do të ishte më e lehtë nëse do të bënte një studim të tillë se sa atë klasik.

“Po, mendoj se është më lehtë dhe normalisht që shpenzimet do të ishin më të vogla. Edhe më e lehtë do të ishte për mua që të mësoj në shtëpi sesa në një vend tjetër”, shprehet Ernisa.

Studimet në distancë janë të mira, thotë Ariana Leci. Por sipas saj, ka raste kur ato studime kanë dështuar.

“Ka raste edhe kur kanë dështuar, pasi që ligjëratat në formën e rregullt, janë më të mira sesa ato në formë elektronike. Edhe mësimi në formën e rregullt është më mirë dhe më efektiv mendoj. Edhe pse po të kisha një ofertë të mirë për studime online, nuk them se nuk do ta pranoja", shprehet Ariana.

Edona Bajraktari nga Prishtina, e cila studion në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Edukimit, thotë se nuk parapëlqen të studiojë nga distanca.

“Nuk e kisha preferuar një lloj të tillë të studimeve. Do të kisha vendosur nëse dua të studioj jashtë vendit, do të shkoja në shtetin përkatës, në distancë jo. Më mirë është të jetë personi aty ku shpjegohen dhe mbahen ligjërata”, thotë e sigurt Edona.

Edhe Fjolla Braha mendon se më mirë është kur dëgjon ligjërata direkt në një universitet, sesa kur lexon leksione të shkruara në letër.

"Mendoj se ndoshta më mirë kuptohen ligjëratat kur je aty, në një auditorium me profesorin dhe e dëgjon duke shpjeguar. Nuk e di nëse do ta kisha pranuar po ta kisha një mundësi për të studiuar në këtë formë", pohon Fjolla.

Për Donjet Behlulin, student i Universitetit të Prishtinës studimi në distancë nuk është interesant:

"Mendoj se më mirë është të jesh në një universitet ku e ke mundësinë të dëgjosh ligjërata direkt dhe kur je ne kontakt me profesorët".

Kurse, Mjellma Rukovci shprehet:

"Ndoshta për studime master do të kisha pranuar një ofertë ose do ta kisha shfrytëzuar një mundësi të tillë. Kurse për (nivelin) bahcelor jo. E di që në disa raste kanë pasur suksese, por edhe e kundërta".

Kohëve të fundit edhe në Kosovë disa kolegje private kanë nisur të aplikojnë mundësinë e studimit në distancë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG