Ndërlidhjet

logo-print

S’ka vota për Demarkacionin, çështja mund të kthehet në pikën zero


Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e arritur në fund të gushtit të vitit të kaluar, po shkon drejt dështimit.

Pas kundërshtimeve të opozitës, kohëve të fundit janë shtuar zërat edhe brenda partive në pushtet që kërkojnë rishqyrtimin e saj, duke konsideruar se si e tillë, marrëveshja ka cenuar tërësinë territoriale të Kosovës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ishte ndër të parët nga koalicioni qeverisës që kishte kërkuar rishqyrtimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Tani ai thotë se çështja po shkon drejt kthimit në pikën zero, pasi që edhe shumë deputetë tjerë janë bindur për parregullsitë.

Modeli kadastral i përdorur për shënjimin e vijës kufitare, ka thënë Hasani, është i gabuar dhe se në procesin e rishqyrtimit duhet të përdoren modele tjera. Vija kufitare me Malin e Zi, ka nënvizuar Hasani është më e vjetër se 50 vite dhe ishte përcaktuar përmes maleve dhe lumenjve.

“Duhet të bëhet një rishqyrtim i marrëveshjes. Është mirë që edhe Mali i Zi ka pranu që të bëhet rishqyrtimi, sepse edhe ai është i interesuar ta zgjidhim këtë çështje. Prandaj, nëse nuk e rishqyrtojmë, ajo nuk do të kalojë në Kuvend, nuk do të ketë vota në Kuvend të kaloj demarkacioni dhe do të ketë mundësi të ketë tensione politike. Andaj, për t’u ikë tensioneve politike duhet të thirret opozita, duhet të thirren ekspertë të fushave përkatëse, duhet të bëhet rishqyrtimi, analiza dhe të dilet nga kjo gjendje”, ka thënë Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Kthimin e procesit në pikën zero e ka mbështetur nga fillimi edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi. Ngjashëm me Hasanin edhe Bulliqi kishte shprehur në vazhdimësi vërejtje se marrëveshja kishte parregullsi dhe nuk ishte arritur sipas interesave të Kosovës.

“Qeveria jonë dhe ajo e Malit të Zi duhet të negociojnë mes vete dhe ta kthejnë gjendjen në pikën zero. Duhet të themelohet një komision i ri i cili do të merret me këtë problematike dhe të shkarkohet komisioni paraprak sepse e ka bërë punën keq, e ka vënë në lajthitje shtetin dhe qeverinë e Kosovës dhe sigurisht që procesi duhet të kthehet në fillim”, ka thënë Bulliqi.

Marrë parasysh që pala malaziase ka shprehur gatishmërinë që të bisedojnë çështjen, marrëveshja për demarkacionin, sipas Shpejtim Builliqit nuk do të ketë nevojë të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Konfuzioni dhe shtyrja e rrumbullakimit të çështjes së demarkacionit që nga gushti i vitet të kaluar deri më tani, sipas Bulliqit, vjen për fajin e qeverisë së Kosovës që nuk ka ndërmarrë asnjë nismë politike.

“Sikur t’kishte qenë vullneti i qeverisë sonë, kjo çështje moti ishte përmbyllë. Në rast se dy palët pranojnë dhe janë të gatshme të bisedojnë, unë jam shpresoj që shumë shpejt mund të kryhet krejt ky proces, sepse ekziston një konditë, ekzistojnë faktografitë e mjaftueshme që ka ekzistuar një linjë kufitare mes Kosovës dhe Malit të ZI. Andaj, krejt çka mbetet është që ekspertët të dalin në terren dhe ta bëjnë shenjimin apo vijëzimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi”, është shprehur Bulliqi.

Edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani e bën përgjegjëse qeverinë e Kosovës për krijimin e konfuzionit dhe ndërlidhjen e ratifikimi të marrëveshjes për demarkacionin me procesin e liberalizimit të vizave.

Sipas tij, qeveria duhet të fokusohet në detyrat e shtëpisë që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kurse demarkacioni të shkoj në rishqyrtim dhe miratim pasi të jetë arritur një marrëveshje e re me Podgoricën.

“Na kemi qëndrime të ndryshme brenda qeverisë për liberalizimin e vizave. Një ministër thotë nuk është kusht, tjetri zëvendësministër thotë është kusht, qeveria thotë është kusht, presidenti s’është kusht. Prandaj këtu i kemi çështjet të cilat janë lojë politike ata nuk duhet ta ndërlidhin me demarkacionin, por duhet ta lidhin me çështjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka deklaruar Hasani.

Marrëveshjen aktuale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacionin e kanë kundërshtuar edhe tri partitë opozitare. Sipas tyre, me këtë marrëveshje, Kosova po humbë mbi 8 mijë hektarë tokë.

Sidoqoftë, përveç deklarimeve individuale, qeveria e Kosovës nuk ka dalë me një qëndrim të prerë nëse do të qëndroj deri në fund pas marrëveshjes së nënshkruar me Podgoricën, apo do të ndërmarrë nisma për rishikimin e saj, ndonëse rishikimi po bëhet opsion real marrë parasysh faktin se marrëveshja po humb përkrahjen e nevojshme në Kuvend për ratifikimin e saj.

Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, qeveria duhet të sigurojë mbështetjen prej dy të tretave të deputetëve në kuvendin e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG