Ndërlidhjet

Largimi i Britanisë nga BE-ja: Pasiguri në ekonomi dhe në politika


Një grua shikon rënien e paundit britanik në raport me dollarin amerikan, 24 qershor, 2016
Një grua shikon rënien e paundit britanik në raport me dollarin amerikan, 24 qershor, 2016

Britania ka votuar për dalje nga Bashkimi Evropian, duke detyruar kryeministrin David Cameron të japë dorëheqje dhe duke shkaktuar goditjen më të madhe mbi projektin e unitetit evropian.

Pesëdhjetedy përqind e britanikëve kanë votuar për dalje nga blloku; 48 përqind për vazhdimin e anëtarësisë.

Rezultati ka shkaktuar rënie të tregjeve financiare globale.

Paundi ka rënë më shumë se 10 përqind kundrejt dollarit amerikan, duke shënuar nivelin më të ulët qysh në vitin 1985.

“Populli britanik ka votuar për të lënë Bashkimin Evropian dhe dëshira e tij duhet të respektohet”, ka thënë kryeministri konservator, David Cameron, i cili ka paralajmëruar dorëheqjen nga muaji tetor.

“Njerëzit në gjithë botën kanë vështruar zgjedhjen që ka bërë Britania. Dua t’i siguroj trgejet dhe investitorët se ekonomia e Britanisë është e fortë. Dua t’i sigurojë po ashtu britanikët që jetojnë në vende të Bashkimit Evropian dhe qytetarët e BE-së që jetojnë këtu se nuk do të ketë ndryshime të menjëhershme në rrethanat e juaja”, ka shtuar Cameron.

Në Bruksel, udhëheqës të lartë të BE-së kanë thënë se Britania duhet të largohet nga blloku “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Presim që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të fuqizojë vendimin e popullit britanik sa më shpejt që të jetë e mundur, sado i dhimbshëm të jetë ky proces”, kanë thënë përmes një deklarate të përbashkët presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, shefi i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, dhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte, vendi i të cilit mban presidencën aktuale të BE-së.

“Çdo vonesë e panevojshme do t’i zgjasë pasiguritë”, kanë thënë liderët e BE-së.

Në Berlin, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar anëtarët e BE-së që të mos nxjerrin përfundime nga rezultati i referendumit në Britani, të cilat do të rrezikonin ndarje të mëtejshme në Evropë. Merkel ka thënë se kjo ditë është goditje për Evropën dhe për procesin e integrimit evropian.

“Synim i yni duhet të jetë krijimi i marrëdhënieve të ardhshme midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian si partnerë të afërt. Në këtë drejtim, Qeveria Federale e Gjermanisë do t’iu kushtojë rëndësi interesave të qytetarëve gjermanë dhe ekonomisë së Gjermanisë. Zonja dhe zotërinj, Bashkimi Evropian është mjaft i fuqishëm për t’i dhënë përgjigjen e duhur në një ditë si kjo”, ka thënë Merkel.

Udhëheqësi i Partisë për Pavarësi në Mbretërinë e Bashkuar, Nigel Farage, i cili ka bërë fushatë për dalje nga Bashkimi Evropian, ka thënë se po lind agimi i Britanisë së pavarur.

Ish-kryetari i Londrës, Boris Johnson, i cili po ashtu ka favorizuar daljen nga BE-ja, ka lavdëruar Cameronin për shërbimin gjashtëvjeçar në postin e kryeministrit, por ka thënë se BE-ja ka qenë “një ide fisnike për kohën e saj” dhe “nuk është më për Britaninë”.

“Ka qenë trimëria e kryeministrit britanik, David Cameron, që i ka dhënë këtij vendi referendumin e parë mbi BE-në në 43 vjet. Ka qenë hera e parë që shumë prej nesh kanë pasur mundësinë të votojnë në mënyrë të qartë për këtë çështje”, ka thënë Johnson, i cili konsiderohet si kandidat kryesor për të zëvendësuar Cameronin.

Britania ishte bërë pjesë e Bashkimit Evropian, që në atë kohë është quajtur Komunitei Ekonomik Evropian, në vitin 1973.

Me largimin e Britanisë, BE-ja do të humbë ekonminë e dytë më të madhe dhe njëren prej dy fuqive kryesore ushtarake.

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carnery, ka thënë se ky institucion është i përgatitur për të siguruar mbi 250 miliardë paund për të ndihmuar funksionimin normal të tregjeve pas daljes së Britanisë nga BE-ja. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG