Ndërlidhjet

logo-print

A u cënua siguria dhe stabiliteti i Maqedonisë?


Pamje nga Kumanova pas aksionit të 11 majit 2015

Pamje nga Kumanova pas aksionit të 11 majit 2015

“Në asnjë moment nuk është vënë në pikëpyetje stabiliteti dhe siguria e shtetit të Maqedonisë”, ka theksuar për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, pas deklaratës së të premtes të presidentit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov.

Të premten Gjorgje Ivanov ka konfirmuar informacionet e transmetuara në disa media se para disa muajve në Maqedoni ka hyrë një grup i armatosur nga Kosova, i cili, sipas Ivanovit, ka pasur për qëllim të shkëpusë një pjesë të territorit të Maqedonisë.

Policia maqedonase ka qenë në nivelin e detyrës së saj për të gjitha informacionet, rreziqet që mund të ketë pas. Organet e sigurisë me shumë përgjegjësi kanë menaxhuar situatën e krijuar me krizën e refugjatëve me ç`rast kishim rreziqe serioze nga grupet islamiste dhe gjatë gjithë kësaj situate, policia maqedonase ishte e përgatitur dhe ka reaguar në mënyrë adekuate”, ka theksuar Spasovski.

I pyetur rreh qëndrimit të presidentit Ivanov se bëhet fjalë për hyrjen e një grupi nga Kosova, Spasovski tha se nuk dëshiron të komentojë një njeri si Ivanovi që është vegël e politikës dhe se për gjithçka dhe të gjitha zhvillimet në vend, e ka informuar në mënyrë transparente opinionin.

Në mars të këtij viti, pas një aksioni të policisë maqedonase, Oliver Spasovski në atë kohë si ministër i Punëve të Brendshme, përpara stacionit policor në fshatin Mateç të Kumanovës, demantoi informacionet se në Kumanovë ka forca të policisë për shkak të pranisë së grupeve të armatosura.

“Mbrëmë nuk ka pasur kurrfarë aksioni policor kundër grupeve të armatosura, kemi pasur përforcim të forcave policore për shkak të parandalimit të tentativave të emigrantëve ilegalë që të kalojnë kufirin. Dëshirojmë që të kemi mbikëqyrje të plotë. Nuk ka vend për panik. Në këtë pjesë është kufiri dhe kemi shpesh kalime ilegale, kemi pasur rast me emigrantë ilegal edhe më parë”, kishte theksuar për mediet më 26 mars të këtij viti, Oliver Spasovski.

Ndryshe, gjatë ditë së premte presidenti i Maqedonisë, pas vizitës së tij në Ministrinë Punëve të Brendshme ku është takuar me ministrin Mitko Cavkov, drejtorin e Zyrës për Siguri Publike, Goranço Savovski, si dhe me drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Ljupço Andonovskin, ka konfirmuar informacionet e lëshuara në opinion se në kohën kur në krye të dikasterit të policisë ka qenë Oliver Spasovski, nga radhët e partisë maqedonase në opozitë, Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, në terrorin e saj ka hyrë një grup i armatosur nga Kosova, i cili është pjesë e grupit që ndërlidhet me ngjarjet e Kumanovës.

“Këto informacione, në përgjithësi janë të njohura dhe nuk bëhet fjalë për grup prej 40 personash, ky është grup shumë më i madh, nga i cili grup i armatosur 40 persona erdhën në territorin tonë dhe policia u përball me sukses me ta".

"Në një farë mënyre, ata nuk i arritën qëllimet që kishin planifikuar, e që informacionet kundërzbuluese dhe shërbimet e afërta me vendin tonë dhe vendet tona mike na informojnë për ato qëllime të këtij grupi -se janë pjesë e grupit të Kumanovës dhe duan të shkëpusin një pjesë të Maqedonisë”, ka deklaruar Ivanov.

Por, për ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, partia e të cilit aktualisht është pjesë e koalicionit qeveritar, indikative është se për një çështje serioze që bëri publike Gjorgje Ivanovi, deri më tani askush nga organet e sigurisë nuk ka konfirmuar një zhvillim të këtillë, e aq më pak ka dhënë ndonjë shpjegim të detajuar.

“Për çdo rast deklarata e presidentit Ivanov është në funksion të frikësimit të qytetarëve të Maqedonisë se kërcënohet stabiliteti dhe siguria e vendit. Kjo deklaratë ka për qëllim që të gjithë të ndërpresin me komentimin e zhvillimeve aktuale politike që kanë të bëjnë me indiciet se zyrtarë të lartë të shtetit janë të përfshirë korrupsion, vepra kriminale që do të thotë veprime të jashtëligjshme, madje edhe të dëshmojë se ja edhe veprimi i tij (Ivanovit) për të falur politikanët ka qenë në funksion të ruajtjes së stabilitetit të vendit”.

Me një fjalë, të gjitha deklaratat dhe aktivitetet e presidentit Gjorgje Ivanov kanë për qëllim të mbrojnë udhëheqësit e VMRO DPMNE-së dhe në asnjë mënyrë interesat e Maqedonisë si shtet”, ka theksuar për Radion Evropa, e lirë ish-minstri Pavle Tajanov.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG