Ndërlidhjet

Përmendorja e princit Llazar në veri të Mitrovicës


Përmendorja e Princ Llazarit në veri të Mitrovicës, 27 qershor 2016
Përmendorja e Princ Llazarit në veri të Mitrovicës, 27 qershor 2016

Në veri të Mitrovicës, në rreth-rrotullimin kryesor, është vendosur të dielën në mbrëmje një përmendore e princit serb Llazar, e lartë 7.5 metra.

Përmendorja e vendosur në këtë anë të qytetit thuhet të jetë pjesë e një ikonografie për nder të Ditës së Shën Vidit, që kremtohet nga komuniteti serb, në fund të muajit qershor.

Është paraparë që përmendoren ta zbulojë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, më 28 qershor, kur edhe shënohet Dita që komuniteti serb e quan "Vidovdan".

Vendimin për ngritjen e këtij monumenti e ka marrë shumica e këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, por me kundërshtimin e këshilltarëve të komuniteteve jo serbe. Monumenti, siç kanë thënë ata, është financuar nga donatorët.

Në qytet, ndërkaq, reagimet kanë qenë të ndryshme, varësisht nga përkatësia etnike. Për pjesëtarët e komunitetit serbë, që janë shumicë në këtë pjesë të qytetit, vendosja e Përmendores është rikthim tek “rrënjët serbe”.

“Ne që jetojmë këtu po e ruajmë Kosovën tonë. Përmendorja është në rregull", thotë një qytetar serb. Një tjetër, ndërkaq, thekson se “përmendorja nuk e ka vendin këtu, por atje ku janë dyert e Serbisë”.

Megjithëkëtë, ka në mesin e qytetarëve serbë që thonë se duhet të pritet e të shihet se për çfarë marrëveshjesh janë marrë vesh palët në dialog.

“Ta shohim deri në shtator se për çfarë tradhtie bëhet fjalë. Meqë e kanë vendosur përmendoren do të thotë se kanë nënshkruar diçka shumë të keqe dhe kjo është e keqe për popullin serb”, thotë një qytetar serb i veriut të Mitrovicës.

Në anën tjetër, pjesëtarët e komuniteteve joserbe thonë se, me vendosjen e përmendores, po rikthehet edhe njëherë periudha e nacionalizmave dhe kjo nuk nuk është në “të mirën e askujt”.

“Ky nacionalizëm nuk i shërben askujt. Mund të ndodh edhe përgjigja e palës tjetër. Çfarë mendoni se mund të ndodh kur përballë në anën tjetër të Princit Llazar të vendoset përmendorja e Adem Jasharit”, thotë një qytetare shqiptare nga Lagja e Boshnjakëve, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Shënimi i ditëve të caktuara të festave në Kosovë shumëherë është përcjellë me përplasje mes pjesëtarëve të komunitetit shqiptar e serb.

Dita e Shën Vidit, ose Vidovdani, është njëra prej festave më të rëndësishme për serbët e Kosovës, meqë shënon, sipas historisë, edhe luftën më të rëndësishme në Ballkan të shekullit XIV – Betejën e Kosovës.

Megjithëse e cilësuar nga historia serbe si beteja e ushtrisë serbe ndaj pushtimit ottoman, ajo shënoi humbjen më të rëndë të popujve të Ballkanit, por nga serbët shënohet si ditë e fitores shpirtërore.

Kremtimi i përvjetorit të Betejës së Kosovës mori përmasa të tjera në vitin 1989, kur ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, shpalli, siç thuhej, bashkimin e Serbisë me rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe paralajmëroi luftërat e përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish-federatës jugosllave.

XS
SM
MD
LG