Ndërlidhjet

logo-print

Kroacia nuk lejon hapjen e kapitullit 23 në negociatat e Serbisë me BE-në

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Bashkimi Evropian ka hapur të enjten kapituj të rinj të negociatave të anëtarësimit me Turqinë dhe Malin e Zi, por nuk ka arritur të hapë negociata për kapitullin 23, që merret me drejtësi, me Serbinë.

Sipas burimeve diplomatike të Bashkimit Evropian, përpjekjet e presidencës holandeze dhe të Komisionit Evropian që para fundit të qershorit të hapet një prej kapitujve kryesorë në negociatat me Serbinë, nuk ka qenë i mundur të realizohet, pasi që Kroacia nuk ka dhënë pëlqimin për një gjë të tillë.

Zagrebi ka kërkuar që në dokumentet për hapjen e këtyre negociatave të bëhen të qarta disa kushte për Serbinë, përfshirë edhe pozitën e pakicës kroate në Serbi, bashkëpunimin e plotë të Serbisë me Tribunalin e Hagës, si dhe ndryshimin e ligjit për juridiksionin për gjykimin e krimeve të luftës që ka Serbia.

Të gjitha këto tri pika Kroacia i sheh si problematike dhe kërkon që Serbia të përmbushë disa kushte që paraqiten ndaj saj.

Raporti i fundit i kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës, Serzh Bramertz, i cili ka thënë se Serbia nuk po bashkëpunon në mënyrë të plotë me Tribunalin e Hagës, ka keqësuar gjithashtu gjasat e Serbisë që deri më tanitë përmbush të gjitha kriteret për të hapur negociatat.

Burimet brenda BE-së, zyrtarisht vetëm pohojnë se nuk ka pasur konsensus mes të gjitha shteteve anëtare për t'i hapur këta kapituj, dhe se, sipas tyre, do të diskutohet në të ardhmen që të hapen kapitujt. Përmendet si afat i ri fillimi i korrikut, apo muaji shtator, gjatë vjeshtës. Mirëpo, edhe për këtë duhet të vazhdohen diskutimet në mes të Zagrebit dhe Beogradit, dhe në mes të Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare, në mënyrë që të arrihet konsensusi i plotë për miratimin e dokumenteve të nevojshme që do të hapin këtë kapitull.

Kapitulli i 23-të është konsideruar nga shumë shtete anëtare si kryesori që duhet të hapet që tani, në mënyrë që të ketë më shumë kohë për Serbinë që të përmbush kërkesat për mbylljen e këtij kapitulli.

Ky kapitull, përpos që merret me të drejtat e pakicave, liritë e qytetarëve dhe bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, merret po ashtu edhe me reformat në drejtësi. Prandaj, edhe fusha e rendit dhe ligjit është përfshirë më së shumti në të.

Po ashtu, disa burime diplomatike pohojnë se edhe disa shtete tjera anëtare të Bashkimit Evropian nuk kishin dhënë ende pëlqimin formal për hapjen e këtij kapitulli, mirëpo theksojnë se problemi kryesor, megjithatë, qëndron në qëndrimet e prera të Kroacisë.

Ndërkohë, Serbia ka reaguar ashpër ndaj shtyrjes së hapjes së negociatave, duke akuzuar Bashkimin Evropian se, siç është shprehur Ministria e Jashtme e Serbisë, "po luan lojë me Serbinë dhe se është e turpshme që të hapen negociatat për kapituj me Turqinë dhe Malin e Zi, por jo edhe me Serbinë."

Sido që të jetë, në BE, disa diplomatë pohojnë se pas votave të qytetarëve të Britanisë së Madhe për të dalë nga Bashkimi Evropian, fokusi këto ditë është kryesisht në tema që janë të lidhura me të ashtuquajturin BREXIT, dhe se nuk ka fokus aq të madh në procesin e zgjerimit. Sidoqoftë, ata thonë se procesi i zgjerimit do të vazhdojë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG