Ndërlidhjet

logo-print

Interesat politike dështuan Projektligjin për Investime Strategjike


Ishin disa mangësi që besohet se pamundësuan miratimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Investime Strategjike, i propozuar nga qeveria e Kosovës. Ky ligj, është potencuar në vazhdimësi i një rëndësie të veçantë për Kosovën.

Por, mungesa e marrjes së mbështetjes në Kuvend, ndërlidhet me të paktën dy fakte. Së pari, me ndërlidhjen e tij, me ç'thuhet, interesat e grupeve të caktuara të partive politike dhe së dyti, ishte vlerësuar se projektligji ishte në kundërshtim me disa nga ligjet në fuqi, përfshirë edhe parimet e Bashkimit Evropian.

Projektligji për investime strategjike në Kosovë ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit 2015, derisa nuk kishte arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të votave të deputetëve.

Si i tillë ky projektligj, nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës ishte konsideruar se do të ndihmonte në tërheqjen e investitorëve të huaj dhe rrjedhimisht do të kishte ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.

Përfaqësuesit e shoqatave ekonomike që mbrojnë interesat e bizneseve në Kosovë kishin mbështetur atë, por, që sipas kryetarit të i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, rëndësinë e këtij projektligji e kanë devalvuar grupet e caktuara të interesit me prapavijë politike.

“Duke parë rëndësinë e këtij ligji, a mos është droja që nëse kalon një ligj i tillë dikush nga partitë politike do të përfitojë më shumë favore. Në këtë drejtim pa marrë parasysh luftën e grupeve të caktuara të interesit pa marrë parasysh aspektin politik ky ligj ka rëndësi strategjike për Kosovën”, thekson ai.

Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile të cilët i kishin dhënë rekomandimet e tyre gjatë hartimit të këtij projektligji e cilësojnë si një lajm të mirë mos miratimin e tij, pasi që siç thonë ata, si i tillë ky projektligj më shumë do të krijonte probleme sesa do të ndihmonte zhvillimin ekonomik.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtimeve të Avancuara (GAP), Agron Demi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se rekomandimet që ishin dhënë nga ta për këtë projektligj nuk ishin përfillur nga autoritetet kompetente.

“Ne e kemi kundërshtuar këtë projektligj për shkak se ka rënë ndesh me shumë ligje tjera në fuqi, me parimet e BE-së dhe marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Problemi kryesor tjetër në këtë projektligj e që është në kundërshtim edhe me MSA-në, është tejkalimi i procedurave të prokurimit publik, duke ia mundësuar qeverisë së Kosovës që të hyjë në negociata direkte me investitorët potencial të huaja duke mos i garantuar publikut transparencë”, thekson Demi.

Prokurimi publik në Kosovë në raportet e ndryshme ndërkombëtare, ishte konsideruar si burim i korrupsionit.

Këto parregullsi që janë bërë në fushën e prokurimit publik, shton Demi kanë thelluar edhe më shumë problemet ekonomike të vendit.

“Në Kosovë ka korrupsion të madh në fushën e prokurimit dhe qeveria e Kosovës po mundohet që duke aprovuar Ligjin për investime strategjikë ta vë komplet procesin e prokurimit në nivel politike në duart e ministrave dhe të anashkalojnë përveç ligjeve për prokurimin publik edhe shumë ligje tjera të cilat pastaj do të kishim probleme në përmbushjen e standardeve të BE-së”, thekson Demi.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës ndërkohë kanë deklaruar se Projektligji për Investimet Strategjike, do të mundësojë tërheqjen e investimeve të huaja, pasi që do të eliminonte pengesat e deritanishme për nxitjen dhe realizimin e këtyre investimeve të huaja.

Në Kosovë të hyrat vjetore mesatare të investimeve të huaja, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë periudhës 2009-2013 kanë qenë 400 milionë euro, por, që shënuan rënie në vitin 2014, dhe atë në vetëm 151 milionë euro. Derisa, në vitin 2015 investimet e huaja kanë qenë rreth 320 milionë euro.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG