Ndërlidhjet

Vizita e Nuland intensifikon takimet për zgjidhjen e krizës politike


Porositë e ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç zbatimit të të gjitha pikave të marrëveshjes, vlerësohen si shumë domethënëse, së bashku me ato të ndërmjetësit të qeverisë gjermane, Johannes Haindl në zgjidhjen e krizës politike.

Shkurtimi i fondeve IPA, por edhe paralajmërimet për sanksione të reja kanë detyruar partitë, në veçanti ato në pushtet, që të jenë më të përkushtuara në bisedimet që po zhvillohen tani më një kohë të gjatë.

Në bazë të vlerësimeve partiake, nuk përjashtohet mundësia për një marrëveshje për disa nga çështjet kryesore, si listën zgjedhore, reformat në media dhe garantimin e punës së Prokurorisë Speciale.

Duke folur për vizitën e mesazhet e ndihmëssekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland, njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri thekson se penguesit e punës së Prokurorisë, mund të përballen me sanksione.

“Porosia ishte e qartë; nëse pengohet Prokuroria Speciale në punën e saj, nëse marrëveshja e Përzhinës nuk zbatohet në tërësi, nëse nuk respektohet standardet demokratike në atë gamën e përgatitjeve të zgjedhjeve demokratike, atëherë Maqedonia do të përballet me sanksione. Do të ballafaqohen me sanksione të gjithë penguesit, politikanët të cilët nuk janë të interesuar që të ketë hetime për rastet korruptive, apo që nuk janë të interesuar që të ketë demokratizim të shtetit dhe zgjedhje të lira dhe demokratike”, thotë Neziri.

Për rëndësinë që ka puna e papenguar e Prokurorisë Speciale, flet edhe Nikolla Dujoski, profesor i sistemit politik në Universitetin e Shkupit. Ai thotë se dëshmi për këtë është edhe takimi i diplomates së lartë amerikane, Vicktoria Nuland me kryeprokuroren Katica Janeva.

“Takimi i saj edhe me prokuroren speciale, Katica Janeva është një mesazh i fuqishëm, megjithatë në një të ardhme të afërt nuk pres ndonjë ndryshim nëse Prokuroria speciale mbetet institucioni i vetëm për ndjekjen e kriminalitetit. Por, nëse ky takim rezulton me formimin edhe të një departamentit të posaçëm gjyqësor, apo edhe të një departamenti tjetër policor, ashtu siç u raportua në media, atëherë vlerësoj se kemi një situatë krejt ndryshe".

"Tri institucione të tilla të posaçme besoj se do të jenë frytdhënëse sa i përket ndjekjes së zyrtarëve të dyshuar për vepra penale. Në një situatë të tillë, vlerësoj se më nuk do të lihej hapësirë për pengimin e punës së Prokurorisë Speciale ashtu siç ka ndodhur deri më tani”, thotë Dujoski.

Nga ana tjetër, duke komentuar njoftimet për zgjedhje të mundshme në vjeshtë, analisti Xhelal Neziri thotë se kjo është e mundur vetëm se nëse partitë arrijnë marrëveshje për zbatimin e të gjitha pikave kontestuese.

“Vlerësoj se nëse caktohet një agjendë e saktë e zbatimit të gjitha obligimeve, pra të përmbushjes së të gjitha detyrave nga marrëveshja e Përzhinës, atëherë mendoj se do të jetë shumë e lehtë caktimi edhe i datës së zgjedhjeve”, thotë Neziri.

Në bazë të marrëveshjes së Përzhinës, tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve duhet të formohet edhe qeveria kalimtare, me përfshirjen edhe të opozitës e cila do të merrej para se gjithash me organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG