Ndërlidhjet

Kryesuesit të BBG-së i ndalohet hyrja në Rusi


Belarus - Jeff Shell, BBG Chairman
Belarus - Jeff Shell, BBG Chairman

Kryesuesi i Bordit të Guvernatorëve të Transmetuesve Amerikanë (BBG), Jeff Shell, është ndaluar në Aeroportin Sheremetovo të Moskës dhe i është refuzuar hyrja në Rusi, edhe pse ka pasur vizë.

Shell është ndaluar nga zyrtarët rusë të sigurisë pak pas mesnatës së 13 korrikut, pasi ka arritur me një fluturim nga Praga, ka bërë të ditur BBG.

Shell është mbajtur në dhomë të mbyllur për disa orë, përpara se është futur në një fluturim të kompanisë KLM drejt Amsterdamit, rreth orës 5 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

Gazeta New York Times citon zotin Shell të ketë thënë se autoritetet e sigurisë në aeroport i kanë thënë atij se “ndalimi i hyrjes në Rusi ka status të përhershëm”.

Zyrtarë të BBG-së janë takuar me ambasadorin amerikan në Moskë, John Teftt, mëngjesin e sotëm, për të diskutuar rreth incidentit dhe kanë vlerësuar vëmendjen urgjente të treguar nga Tefft dhe Departamenti i Shtetit në lidhje me çështjen.

Ndalimi i hyrjes së zotit Shell në Rusi vjen në kohën e përkeqësimit të raporteve diplomatike midis Uashingtonit dhe Moskës, që ka rezultuar me dëbime të disa diplomatëve.

BBG mbikëqyr të gjitha transmetimet joushtarake të SHBA-së, përfshirë edhe shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë, i cili ka byro në Moskë.

XS
SM
MD
LG