Ndërlidhjet

Steinmeier: Emërimi i Johnson, lajm i hidhur


Kryediplomati gjerman, Frank-Walter Steinmeier
Kryediplomati gjerman, Frank-Walter Steinmeier

Emërimi i ish-kryetarit të Londrës, Boris Johnson, në postin e sekretarit të jashtëm britanik ka shkaktuar habi.

Johnson ka udhëhequr fushatën për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe më pas është tërhequr nga gara për postin e kryeministrit, i cili duhet të udhëheqë negociatat për shkëputje nga blloku.

“Është e hidhur për Britaninë e Madhe. Njerëzit atje janë duke përjetuar një zgjim të pakëndshëm, pasi politikanët e papërgjegjshëm fillimisht e nxorën Britaninë nga Bashkimi Evropian dhe më pas u ikën përgjegjësive… Të jem i sinqertë, kjo më duket shokuese. Dhe, natyrisht, nuk është e hidhur vetëm për Britaninë e Madhe, por edhe për Bashkimin Evropian”, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Johnson po ashtu ka shkaktuar shtangie në Evropë, duke krahasuar qëllimet e Bashkimit Evropian me ato të Adolf Hitlerit dhe të Napoleonit.

Kryeministrja e re britanike, Theresa May, e ka emëruar atë në pozitën që deri të mërkurën e ka mbajtur Philp Hammond. Ky i fundit tani është bërë kancelar.

May është zotuar se do të udhëheqë një qeveri që punon për të gjithë dhe “jo vetëm për disa të privilegjuar”.

XS
SM
MD
LG