Ndërlidhjet

logo-print

Kushtetuesja mund ta shqyrtojë kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale


Gjykata Kushtetuese nuk e përjashton mundësinë që gjatë pushimeve të verës të caktojë një mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën do të shqyrtohej iniciativa për kushtetutshmërinë e themelimit dhe funksionimit të Prokurorisë Speciale Publike.

Sipas rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, kryetarja e këtij institucioni Elena Gosheva ka mundësi që edhe gjatë pushimeve të verës të mbledhë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, në një mbledhje të jashtëzakonshme, për të diskutuar rreth kushtetutshmërisë së themelimit dhe funksionimit të Prokurorisë Speciale Publike.

Por, ish kryetari Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Trendafill Ivanovski, konsideron se në këtë mënyrë strukturat udhëheqëse të pushtetit synojnë t’i bëjnë presion Prokurorisë Speciale publike nëse ajo gjatë kësaj periudhe vendos të hap lëndë ndaj cilitdo udhëheqës të partive në pushtet.

“Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë tanimë një kohë të gjatë nuk është në funksion të mbrojtjes së ligjeve por kryekëput funksionon në bazë të kalkulimeve që bëjnë zyrtarët e lartë të pushtetit për të shpëtuar nga përballja me organet e drejtësisë. Gjithçka do të varet nga ajo se çfarë veprimesh do të ndërmarrë Prokuroria Speciale Publike gjatë kësaj periudhe e cila për opinion ka bërë publike vetëm 5 raste nga 35 lëndët për të cilat është shpallur kompetente për t’i proceduar", tha Ivanovski.

Sipas tij nëse Prokuroria Speciale ngreh procedurë pikërisht për lëndët më të ndjeshme ku atakohen zyrtarë të lartë të shtetit të cilët e kanë sjellë vendin në këtë gjendje të krizës së thellë politike gjithsesi se “Gjykata Kushtetuese do të vihet në funksion të paralizimit për aq sa mundet të Prokurorisë Speciale si institucion”.

Edhe analisti politik nga Tetova, Alajdin Demiri, konsideron se partitë në pushtet, veçanërisht VMRO DPMNE e udhëhequr nga ish kryeministri Nikolla Gruevski synon që përmes siç thotë ai, institucioneve të okupuara të paralizojë punën e Prokurorisë Speciale. Demiri thotë se nevoja për verifikimin e kushtetutshmërisë së Prokurorisë Speciale është “absurde dhe jo legjitime” për arsye se ky institucion punon dhe funksionon si rrjedhojë e një marrëveshje politike mes aktorëve kryesorë politik në vend me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtarë për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë politike.

“Fakti se VMRO DPMNE ka instrumente për të bllokuar punën e Prokurorisë Speciale , mund ta përdorë edhe këtë që përmes Gjykatës Kushtetuese gjatë kohës së pushimeve të bllokoj punën e këtij institucioni, përkatësisht të krijojë një huti për atë se a është kushtetuese apo jo themelimi dhe funksionimi i këtij institucioni. I gjithë qëllimi është në funksion të asaj që Prokurorisë Speciale t`i kalojë afati meqë ajo ka një mandat të caktuar dhe për atë kohë prej 18 muajve prej kur është themeluar të mos arrijë ta kryej punën për të cilën është konstituuar”, thotë Alajdin Demiri.

Ndryshe një nga kërkesat kryesore për më shumë se dy muaj e mbi 80 organizatave joqeveritare të cilat janë organizatorë të protestave të “revolucionit shumëngjyrësh” është që Gjykata Kushtetuese sa më parë të prononcohet rreth iniciativës private së ngritur nga një avokat për kushtetutshmërinë e punës së Prokurorisë Speciale për ta liruar atë nga presioni.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG