Ndërlidhjet

logo-print

Arrestime masive në Turqi pas dështimit të puçit

  • RFE /RL

Stamboll, 16 korrik 2016.

Stamboll, 16 korrik 2016.

Në Turqi po vazhdojnë operacionet e sigurisë, pas përpjekjes së dështuar për grushtshtet, të premtën mbrëma, e cila ka lënë së paku 265 veta të vrarë - në mesin e tyre 161 civilë dhe policë që janë konfrontuar me mbështetësit e grushtshtetit dhe 104 komplotues të puçit.

"2,839 oficerë ushtarakë, nga radhë të ndryshme, që kanë qenë të përfshirë në këtë përpjekje të turpshme për grushtshtet, janë arrestuar", tha të shtunën kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, konfirmoi se forcat e sigurisë, besnike të qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan, kanë bllokuar bazën ajrore Incirlik në juglindje të vendit, ku po ashtu janë të stacionuar rreth 1,500 ushtarë amerikanë për operacione kundër grupit militant Shteti Islamik në Irak dhe Siri.

Cavusolgu tha se baza është bllokuar pasi disa ushtarë turq atje kanë qenë të përfshirë në përpjekjen për grushtshtet.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu, tha se komandanti i Armatës së Dytë, gjeneral Adem Huduti, është arrestuar në lidhje me komplotin për puç.

Huduti, zyrtari më i lartë i arrestuar deri më tani, udhëheq forcat që mbrojnë kufijtë e Turqisë me Sirinë, Irakun dhe Iranin.

Gjenerali Erdal Ozturk, komandant i Korpusit të Armatës së Tretë, është arrestuar po ashtu të shtunën dhe përballet me akuzat për tradhti.

CNN Turk ka raportuar se Alparslan Altan, anëtar i Gjykatës Supreme të Turqisë, është arrestuar, duke u bërë figura më e lartë gjyqësore në mesin e dhjetra të dyshuarve të arrestuar.

Edhe pse qeveria tha se situata në vend është “nën kontroll”, presidenti Erdogan postoi një mesazh në Twitter, duke u bërë thirrje mbështetësve të mbeten në rrugë për të parandaluar shpërthimin e ri të përpjekjeve për puç.

Pentagoni, ndërkohë, ka konfirmuar se Turqia ka mbyllur hapësirën ajrore përreth bazës Incirlik, duke ndaluar përkohësisht sulmet ajrore, që nisen nga kjo bazë kundër Shtetit Islamik.

Pentagoni tha se forcat amerikane në Incirlik nuk janë në rrezik.

Megjithatë, komanda ushtarake e SHBA-së në Evropë urdhëroi të shtunën forcat amerikane në Turqi që të ndërmarrin masa maksimale mbrojtëse, të cilat njihen si Delta dhe thirren kur ndodh një sulm terrorist ose kur kërcënimi për sigurinë duket i pashmangshëm.

Kryeministri turk, Yildirim, tha se përpjekja për grushtshtet është një “njollë e zezë” për demokracinë turke.

Ushtruesi i detyrës së shefit të ushtrisë, gjenerali Umit Dundar, tha se 41 oficerë të policisë janë në mesin e të vrarëve.

“Si forca të armatosura të Turqisë, jemi të vendosura që të largojmë të gjithë aktorët e përfshirë në grushtshtet, ashtu si edhe anëtarët e ‘strukturave paralele’ të ushtrisë sonë. Të gjithë ata që kanë tradhtuar shtetin dhe kombin do të ndëshkohen”, tha Dundar.

Fuqitë rajonale, Irani dhe Izraeli, kanë lëshuar deklarata, duke dënuar përpjekjen për grushtshtet. Ministri i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se ka biseduar tri herë me homologun turk dhe ka shkruar në Twitter se “grushtshtetet nuk kanë vend në rajonin tonë”.

Arabia Saudite po ashtu tha se “mirëpret rikthimin e situatës në normalitet, nën udhëheqjen e Erdoganit”.

Komplotistët e grushtshtetit kanë përdorur tanke dhe avionë, si dhe kanë sulmuar ndërtesën e parlamentit dhe zyrën e presidentit në Ankara. Selia e shërbimit të inteligjencës turke është sulmuar po ashtu.

Në një kohë kritike gjatë dhunës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, u ka bërë thirrje të gjitha palëve të mbështesin qeverinë e Erdoganit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo dhunë apo gjakderdhje.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se ka biseduar me ministrin e Jashtëm turk, Cavusoglu, dhe se i ka shprehur “mbështetjen absolute” të SHBA-së për qeverinë.

"Shtetet e Bashkuara, pa asnjë hezitim, drejtpërsëdrejti dhe pa mëdyshje mbështesin udhëheqjen demokratike, respektimin e liderit të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe procesin kushtetues në këtë drejtim. Ne mbështesim Qeverinë e Turqisë", ka thënë Kerry.

Ngjashëm janë shprehur edhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Liderët e BE-së, Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker, thanë se “nuk ka alternativë ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Erdogan dhe mbështetësit e tij kanë fajësuar klerikun mysliman, Fethullah Gulen, kundërshtar politik i presidentit, për organizimin e përpjekjes për grushtshtet. Gulen jeton në mërgim në Pensilvani të SHBA-së.

Kryeministri Yildirim tha se shtetet që mbështesin Gulenin do të konsiderohen armiq të Turqisë.

Gulen, dikur aleat i Erdoganit, me shumë ndjekës në ushtrinë turke, ka mohuar çdo përfshirje, duke thënë se “qeveritë duhet të fitohen përmes procesit të zgjedhjeve të lira dhe jo me forcë”.

Turqia, anëtare e NATO-s, me popullsi prej rreth 80 milionë banorësh, ka rol kyç në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Irak dhe Siri.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG