Ndërlidhjet

logo-print

Turqi: Mbyllet baza Incirlik, SHBA i pezullon sulmet kundër IS-it


Aeroplani luftarak amerikan i tipit F-16 mbi bazën Incirlik në Turqi

Aeroplani luftarak amerikan i tipit F-16 mbi bazën Incirlik në Turqi

Pentagoni thotë se ushtria e Shteteve të Bashkuara përkohësisht i ka pezulluar sulmet ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Siri dhe Irak, të cilat ishin lansuar nga kjo bazë ajrore, në pjesën juglindore të Turqisë.

Një zyrtar i Pentagonit ka thënë se operacionet nga Incirliku janë suspenduar “për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore” nga Turqia, gjatë përpjekjeve për grushtshtet nga elemente të ushtrisë turke.

Pentagoni thotë se Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara po i harmonizon operacionet fluturuese kundër militantëve të IS-it për t’i minimizuar efektet negative të mbylljes së bazës.

Njëherësh, një zyrtar i Konsullatës amerikane në Turqi tha se autoritetet lokale dje e kishin ndaluar lëvizjen në dhe nga baza Incirlik dhe e kishin ndalur rrymën në këtë kompleks.

Kjo lëvizje u bë derisa autoritetet turke po i vazhdojnë përpjekjet për arrestime masive të puçistëve ushtarakë në Turqi, që është anëtare e NATO-s.

Pentagoni tha se baza Incirlik po e shfrytëzon rrymën e prodhuar brenda bazës dhe se asnjë pjesëtar i ushtrisë amerikane nuk është në rrezik nga mbyllja e hapësirës ajrore.

Megjithatë, Komanda ushtarake amerikane në Evropë, dje ka urdhëruar që forcat amerikane në gjithë Turqinë të ndërmarrin masa maksimale mbrojtëse, të njohura me emrin “Delta”, që paraqet nivel të forcës mbrojtëse, që aktivizohet kur ndodhë ndonjë sulm terrorist ose kur rreziku i kërcënimit të sigurisë duket i menjëhershëm.

Në nivelin “Delta” pezullohen të gjitha aktivitetet joesenciale dhe të gjitha kapacitetet vendosen në pozicione mbrojtëse, për rast të sulmit eventual.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara i ka afro 2,200 ushtarë dhe kontraktorë civilë të vendosur në Turqi, përfshirë 1,500 vetë në Incirlik.

XS
SM
MD
LG