Ndërlidhjet

logo-print

Turqi: Arrestime të reja në gjendje të jashtëzakonshme

  • RFE /RL

Gjendja e jashtëzakonshme tremujore ka filluar sot në Turqi, me arsyetimin e presidentit, Recep Tayyip Erdogan, se ishte e domosdoshme dhe se me këtë lëvizje nuk shkelet sundimi i ligjit ose liritë themelore të shtetasve. Ai theksoi se ky vendim është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Turqisë.

“Qëllimi i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme është që të kemi mundësi të ndërmarrim hapa të shpejtë dhe efektivë kundër këtij kërcënimi ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtat dhe liritë e shtetasve tanë. Kjo praktikë absolutisht nuk është kundër demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirisë, përkundrazi, ka për qëllim mbrojtjen dhe forcimin e këtyre vlerave”, tha Recep Tayyip Erdogan.

Autoritetet thonë se gjendja e jashtëzakonshme do tu mundësojë ndërmarrje të aksionit kundër atyre që janë përgjegjës për puçin e dështuar ushtarak të javës së kaluar, nga i cili janë vrarë më se 260 vetë dhe 1,500 të tjerë janë plagosur.

Qeveria e zotit Erdogan tha se “virusi i kancerit” brenda disa institucione shtetërore ka çuar në përpjekjen për grushtshtet më 15 korrik dhe i ka filluar spastrimet masive në institucionet shtetërore.

Mediat raportojnë se në një lëvizje të pazakonshme, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, sot herët në mëngjes, zoti Erdogan është falur nëpërmjet altoparlantëve në një xhami brenda pallatit të tij presidencial. Sipas mediave turke, pak kohë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, janë arrestuar edhe 32 gjyqtarë dhe dy oficerë ushtarakë.

Qeveria e presidentit Erdogan deri tash i ka shkarkuar, suspenduar ose arrestuar afro 6 mijë policë, gjyqtarë, shërbyes civilë dhe mësues, në ndëshkimet e paprecedente pas puçit të dështuar, që i ka befasuar liderët botërorë.

Gati një e treta e 360 gjeneralëve që shërbejnë në ushtrinë turke është arrestuar. Ministria e mbrojtjes po zhvillon hetime ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe i ka suspenduar 262 prej tyre, ka raportuar transmetuesi NTV, ndërsa 900 oficerë të policisë në Ankara janë suspenduar.

Gjatë këtyre ndëshkimeve veçanërisht është goditur sistemi i arsimit. Ministria e arsimit ka njoftuar se janë pezulluar më se 20 mijë punëtorë në shkolla.

Qeveria i ka filluar edhe procedurat për mbylljen e më se 600 institucioneve shkollore, shumica prej tyre private, ndërsa 21 mijë mësuesve në institucionet private u është marrë liçenca. Më se 1,500 dekanë universitarë janë detyruar të paraqesin dorëheqje.

Shumë prej mijëra personave të goditur nga qeveria, supozohet se janë mbështetës të klerikut islamik, Fethullah Gulen, i cili vullnetarisht jeton në ekzil në Shtetet e Bashkuara. Këtë klerik, presidenti Erdogan e fajëson për përpjekje të puçit.

Gullen, 75 vjeçar, ish-aleat i zotit Erdogan, e ka dënuar përpjekjen për grushtshtet dhe i ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje në puç.

Në reagimin e parë ndaj shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi, ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka kërkuar që në Turqi të respektohet sundimi i ligjit dhe ndjenja e proporcionalitetit në përgjigjen ndaj përpjekjes për puç.

I pyetur se nëse përgjigjja e qeverisë turke ishte e tepruar, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha:

“Do të ishte jopërkatëse për të komentuar pasi nuk e dijmë se çfarë dëshmi ekzistojnë. Ne e mbështesim ndaljen e puçit nga ana e qeverisë. Ne e mbështesim qeverinë demokratike. Ne i mbështesim zyrtarët e zgjedhur në mënyrë të rregullt. Ne e dënojmë këtë puç dhe ne jemi të qartë për dëshirën tonë për të parë se në Turqi demokracia po qëndron dhe zhvillohet”, tha John Kerry.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG