Ndërlidhjet

Mërgimtarët thonë se institucionet e Kosovës po punojnë pak


Shumë mërgimtarë nga Kosova që jetojnë në vende të ndryshme të botës, tashmë kanë nisur pushime në vendlindje. Në ditët e verës edhe institucionet e vendit kanë menduar t’i presin për të trajtuar kërkesat e tyre.

Kuvendi i Kosovës, për të dytën herë radhazi, ka hapur dyert për të gjithë ata mërgimtarë që duan ta vizitojnë dhe të takojnë një pjesë të deputetëve të pranishëm.

Lutfi Thaçi nga Komuna e Vushtrrisë, që jeton në Frankfurt të Gjermanisë prej më shumë se 30 vjetësh, është njeri nga ata që që po vizitonte Kuvendin.

Ai thotë se e ka ndihmuar vendin e tij dhe pjesën tjetër të familjes që jeton në Kosovë.

Tani pensionist, Thaçi thotë se përcjellë me vëmendje të gjitha zhvillimet në vendlindjen e tij dhe posacërisht punën e institucioneve të vendit.

Shpreh pakënaqësinë e thellë se Kuvendi dhe njëkohësisht edhe institucionet e tjera, kanë punuar pak, siç thotë, për vendin dhe zhvillimin e tij ekonomik.

"Zhvillimi ekonomik duhet me qenë shumë në nivel, pa zhvillim ekonomik nuk ka përparësi nuk ka ecje përpara dhe as shkollim. Me privatizimin që është bërë në Kosovë, këta kanë humbur", tha Thaci.

Në Kuvendin e Kosovës, Thaçi u ka shprehur pakënaqësitë e tij për ngecjen e punës së Kuvendit, por edhe për zhvillimet e tjera, disa deputetëve të partive politike, si atyre në pushtet ashtu edhe në dhe në opozitë.

"Nuk janë duke punuar per diasporën e as per qytetarët që janë atje e shumë pak interesohen atje", tha Thaci.

Kuvendi i Kosovës hapi edhe këtë verë dyert për të takuar mërgimet e Kosovës me qëllim të njohjes së tyre më të përafërt me punën e këtij institucioni.

Mërgimtarët shumë herë kanë shtruar çështjen e tyre përpara institucioneve të vendit, posaçërisht çështjen e trajtimit të tyre, të krijimit të kushteve dhe klimës për investime dhe ndihmë të mëtejme vendit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të enjten u gjendën në institucion, ftuan mërgimtarët që të kontribuojnë edhe më shumë për vendin me investime të ndryshme.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës Zenun Pajaziti u tha të pranishme ne hollin e kuvendit se roli i diasporës për Kosovën ka qenë dhe vazhdon të jetë i rëndësishme për vendin.

"Ju jeni pa dyshim pjesa më e rëndësishme e lirisë që ne e gëzojmë, jeni pjesë më e rëndësishme e institucioneve dhe shtetit të Kosovës. Fatmirësisht ju keni vazhduar ta rindërtoni Kosovën dhe ju po bëheni pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e zhvillimit të vendit tonë", tha Pajaziti.

Për deputeten e Vetëvendosjes në opozitë, Shqipe Pantina, mërgimtarët vazhdojnë të jenë arteria kryesore që mbanë gjallë jetën në Kosovë jo vetëm në aspektin financiar. Ajo pranoi se institucionet nuk janë duke bërë sa duhet për shqiptarët nga Kosova që jetojnë në diasporë.

"Është koha që tani ne të mendojmë pak më shumë për ju, që të krijojmë lehtësira edhe kur vini këtu. Thjesht të vini e të pushoni më shumë se sa të mbani dertin e familjeve dhe vendit, por [duhet] t'ju krijojmë kushtet që ju të vini dhe pse jo edhe të investoni këtu në mënyrë që gjithë punën dhe kursimet që i keni bërë atje tani të vini dhe nga ato kursime të përfitoni ju, miqtë dhe vet Kosova", tha Pantina.

Kosova ka një numër të madh të qytetarëve të saj që kanë emigruar jashtë në periudha të ndryshme kohore, por vala më e madhe e ikjes u shënua në vitet e 90-ta, gjatë dominimit të administratës serbe në Kosovë, dhe posaçërisht kur forcat serbe të sigurisë gjatë luftës në Kosovë përndoqën qindra mijëra qytetarë shqiptarë.

Pjesa më e madhe e tyre u vendosën në Evropën Perëndimore dhe vazhdojnë të jenë burimi kryesor i të ardhurave për një pjesë të madhe të familjeve në vend. S

ipas shënimeve zyrtare, remitencat vjetore që vijnë nga mërgimtarët e Kosovës kapin shumën e gati gjysmës së buxhetit të vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG