Ndërlidhjet

Të ndarë në Serbi, por të bashkuar për Erdoganin

  • RFE /RL

Mbështetësit e Erdoganit

Mbështetësit e Erdoganit

Udhëheqësit fetarë të dy bashkësive islame në Serbi dënuan përpjekjen për grushtshtet ushtarak në Turqi, duke besuar se regjimi i presidentit Recep Tayyip Erdogan do t’i zgjidhë problemet aktuale.

Ata thanë se ndarja në Turqi nuk do të ndikojë te myslimanët tashmë të ndarë në Serbi.

Udhëheqësi i Bashkësisë Islame të Serbisë, Sead Nasufoviq, tha se puçi nuk është mënyrë për të ushtruar të drejtat.

Duke folur për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Nasufoviq tha se njerëzit në Turqi, që kanë mbrojtur rendin kushtetues me jetën e tyre, janë për t’u admiruar, ashtu si edhe presidenti dhe Qeveria turke.

“Besoj se regjimi i Erdoganit do të merret me të gjitha këto probleme. Erdogani është diplomat dhe politikan i madh, i zgjedhur në mënyrë demokratike. Vlerat e tij i di e gjithë bota. Ai ka njohuri dhe është i mençur, ka vullnet dhe mbështetje për t’u përballur me sfidat në vendin e tij".

"Këto incidente dhe situata janë shkollë nëpër të cilën kalon njerëzimi. Për një të keqe të madhe nuk duhen shumë njerëz. Nganjëherë, mjafton vetëm një njeri, një ide e keqe, e cila dëmton rrethin dhe shoqërinë”, tha Nasufoviq.

Ai nuk ka frikë se atmosfera dhe ngjarjet në Turqi mund të reflektojnë në ndarje midis myslimanëve në Serbi.

Kryetari i Meshihatit të Bashkësisë Islame në Serbi, Mevlud Dudiq, tha se ndarjet në këtë rajon ekzistojnë qysh në tetor të vitit 2007.

Që atëherë, në Serbi veprojnë dy bashkësi islame. Njëra është Bashkësia Islame e Serbisë, në krye të së cilës është Nasufoviq, dhe tjetra Meshihati i Bashkësisë Islame të Serbisë, i cili udhëhiqet nga Dudiq.

Fakti që ministria kompetente ka lejuar regjistrimin e bashkësisë së dytë është interpretuar si dëshmi e ndikimit politik, ndërsa përgjegjësia për çarjet e thella i atribuohet shpesh qeverisë së kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, Vojisllav Koshtunica.

Dudiq tha se çdo koment që nuk dënon përpjekjen për grushtshtet në Turqi është i pasaktë, sepse qeveria atje është zgjedhur në mënyrë të ligjshme.

“Mendoj se disa gjëra do të kenë ndikim pozitiv te boshnjakët në Sanxhak dhe Serbi, sepse bashkësitë islame në Turqi kanë marrë pjesë në ndarjet tona dhe nuk kanë qëndruar në anën e meshihatit të ligjshëm. Disa herë kemi thënë se edhe te ne ka ndodhur grushtshtet i një lloji, i ngjashëm me atë që ka tentuar të destabilizojë Turqinë”, tha Dudiq.

“Besoj se regjimi i Erdoganit do t’i përballojë këto vështirësi dhe probleme. Duhet pranuar se Turqia sot është vendi i vetëm mysliman, e cila në aspektin e qytetërimit, kulturor, ekonomik dhe cilindo tjetër paraqet stabilitet dhe dinjitet. Kjo u ka penguar shumë njerëzve në botë. Është e dukshme se disa nga Turqia kanë dashur të krijojnë një tjetër Siri, Irak, Libi”, tha Dudiq për Radion Evropa e Lirë.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG