Ndërlidhjet

logo-print

Afganistani në zi, presidenti zotohet për hakmarrje

  • RFE /RL

Vendi ku ndodhi sulmi vetëvrasës, Kabul, 23 korrik 2016

Vendi ku ndodhi sulmi vetëvrasës, Kabul, 23 korrik 2016

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, është zotuar se do të “hakmerret” kundër personave përgjegjës për sulmin vetëvrasës në Kabul, i cili mori jetën e 80 personave, sulmi më i rëndë që e ka goditur kryeqytetin afgan që prej okupimit të udhëhequr nga amerikanët në vitin 2001.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik, e ka marrë përgjegjësinë për dy sulme vetëvrasëse që, sipas Ministrisë së Brendshme, ka lënë të lënduar edhe 231 njerëz të tjerë, shumë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Sulmi kishte cak kryesisht pjesëtarët e minoritetit Hazara, mijëra prej të cilëve ishin duke protestuar rreth një linje elektrike.

Gjatë një paraqitjeje të drejtpërdrejtë televizive më 23 korrik, Ghani ka thënë: “Ju premtoj se do të hakmerrem kundër keqbërësve”.

“E kam urdhëruar kryeprokurorin që të themelojë një komision për hetimin e incidentit”, ka thënë ai duke shtuar se 24 korriku do të jetë ditë zie në vend.

Nëse pretendimi i IS-it është i vërtetë, atëherë ky do të ishte sulmi i parë që militantët e këtij grupi e kanë kryer në Kabul. Luftëtarët e Shtetit Islamik kanë okupuar disa territore përgjatë kufirit lindor afgan me Pakistanin, në krahinën Nangrahar gjatë vitit të kaluar.

Agjencia e lajmeve e organizatës ekstremiste, Amaq, ka raportuar se dy sulmues vetëvrasës të IS-it e kanë hedhur vetën në erë kur e kanë aktivizuar eksplozivin që e kanë pasur në bel, gjatë demonstratës që vlerësohet se kishte 10 mijë pjesëmarrës.

Spitalet e Kabulit kanë qenë të tejmbushura, ndërsa është raportuar edhe mungesë të dozave të gjakut që kanë qenë të nevojshme për trajtimin e të lënduarve.

“Ne po e mbanim një protestë paqësore kur e kam dëgjuar shpërthimin dhe më pas të gjithë iknin dhe bërtisnin”, ka thënë Sabira Jan, një protestuese që ishte dëshmitare e sulmit.

“Kam parë se si shumë njerëz janë vrarë dhe shumica e tyre ishin të mbuluar me gjak. Askush nuk ishte aty që t’i ndihmonte viktimat. Policia vetëm na shikonte dhe më pas kam dëgjuar të shtëna. Më vonë nuk e di se çfarë ka ndodhur”, ka treguar Jan.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia e kanë dënuar sulmin dhe kanë përsëritur zotimet për ndihmë për të rritur sigurinë në Kabul.

“Ne mbesim të përkushtuar për të punuar së bashku me forcat e sigurisë të Afganistanit dhe vendet e rajonit për t’u përballur me forcat që e kërcënojnë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Afganistanit”, thuhet në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti afgan, menjëherë pas sulmet ka thënë se është “thellësisht i pikëlluar” nga sulmi, duke shtuar se në mesin e viktimave kishte edhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.

“Mbajtja e protestave është e drejtë e çdo qytetari në Afganistan dhe Qeveria do të bëjë përpjekje që të ofrojë siguri për protestuesit, por terroristët kanë hyrë në protestë me eksplozivë duke martirizuar disa qytetarë, përfshirë edhe disa pjesëtarë të forcave të sigurisë”, ka vlerësuar pallati presidencial afgan.

Edhe shefi ekzekutiv i vendit, Abdullah Abdullahu, e ka dënuar sulmin që e ka quajtur terrorist.

Fotografi të tmerrshme, ndërkohë, kanë qarkulluar në rrjete sociale nga vendi i ngjarjes.

Talibanët e kanë hedhur poshtë përfshirjen në këtë sulm.

Grupi që ka lidhje me Shtetin Islamik në Afganistan kryesisht përbëhet nga ish -luftëtarë të talibanëve që ndihen të tradhtuar nga dështimi i tyre për të rrëzuar qeverinë me gjithë kryengritjen që zgjat qe 15 vjet.

Protestuesit kërkojnë që t’i ndryshohet kahu linjës transmetuese 500 kilovoltëshe nga Turkmenistani për në Kabul duke e çuar drejt krahinës Bamiyan, që e ka edhe një numër të madh të pjesëtarëve të këtij minoriteti.

Qeveria thotë se kjo kërkesë do ta rriste nivelin e shpenzimeve për projektin për disa miliona dollarë, ndërsa edhe do ta vononte realizimin e projektit.

Pjesëtarët e grupit minoritar Hazara janë popullatë kryesisht shiite që e flasin gjuhën dari dhe që konsiderohen të persekutuar në Afganistan.

Ata konsiderohen edhe si grup etnik më i varfër, të cilët shpesh ankohen për diskriminim.

Në përgjithësi, vetëm 30 - 40 % e popullatës afgane kanë energji elektrike.

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG