Ndërlidhjet

logo-print

Marrëveshja i mundëson jetëgjatësi Prokurorisë Speciale


Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë

Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë

Njohësit e çështjeve juridike thonë se puna e Prokurorisë Speciale publike në Maqedoni, është me interes jetik për ndërtimin e institucioneve të shëndosha, duke nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata të cilët janë përfshirë në aktivitete të ndryshme kriminale.

Për këtë arsye edhe në marrëveshjen politike të së mërkurës qartë është definuar se në rast se Gjykata Kushtetuese merr vendim për të pezulluar Prokurorinë, në atë rast partitë politike kryesore janë zotuar se përmes Ligjit të ri, Prokuroria Speciale do të duhet të ri-themelohet brenda pesë ditëve duke mos e penguar punën e këtij institucioni.

Margarita Caca Nikollovska, ish-gjykatëse në Strasburg thotë se kjo zgjidhje e arritur mes partive nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinos, në një mënyrë synon, siç shprehet ajo, “të shpëtojë eliminimin e këtij institucioni”. Kjo, sepse, një pjesë e strukturave udhëheqëse kanë frikë nga përballja me drejtësinë dhe në çdo mënyrë mundohen ta paralizojnë punën e Prokurorisë Speciale Publike, madje edhe përmes Gjykatës Kushtetuese, e cila me veprimet e saj ka dëshmuar se është vegël e partive në pushtet.

Nëse pezullohet puna e Prokurorisë Speciale si institucion që heton një varg krimesh ku janë të përfshira strukturat e larta të partive në pushtet, unë pyetem se çka do të ndodhë në atë rast me të gjitha ato veprime që i ka ndërmarrë pikërisht Prokuroria Speciale Publike”.

“Sipas meje, synohet t’i bëhen obstruksione Prokurorisë Speciale si institucion, duke e kthyer në pikën zero, me qëllim që të gjithë ata që do të duhet të jepnin llogari para ligjit dhe drejtësisë, të kenë hapësirë kohore për të fshehur gjurmët e veprimeve të tyre që kanë të bëjnë me vepra të shumta kriminale që i nxorën në pah bisedat e përgjuara”, thotë ajo.

Por, Mersim Maksuti, ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë konsideron se Gjykata Kushtetuese, duke mos u prononcuar për muaj të tërë rreth kushtetutshmërisë e funksionimit të Prokurorisë speciale, luan rolin e xhelatit".

"Megjithatë, sipas tij, përfshirja e kësaj çështjeje në marrëveshjen e fundit, paraqet garanci se faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë që Prokuroria Speciale të humbasë në peshë, madje as të zvogëlojë kompetencat e veprimit të saj.

Në vijë të fundit marrëveshjen e fundit mes partive politike e shoh si garanci se nuk mund të luhet me funksionimin e Prokurorisë Speciale në Maqedoni dhe në vijë të fundit bashkësia ndërkombëtare nuk lëshon pe kur bëhet fjalë për përballjen me drejtësinë e të gjithë atyre, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion, përfshirje në veprime kriminale".

"Bashkësia ndërkombëtare do të insistojë që të shkojë drejtësia deri në fund dhe në këtë formë e shoh dhe përfshirjen e kësaj pike edhe në marrëveshjen e fundit politike”, vlerëson Maksuti.

Në marrëveshjen politike të arritur të mërkurën ndërmjet forcave politike kryesore, nuk u përfshi kërkesa e sektorit civil dhe intelektualëve të pavarur për formimin e një departamenti special në kuadër të Gjykatës penale të Maqedonisë, si garanci për të shkuar deri në fund të gjitha proceduarat hetimore që ngritjen nga ana e Prokurorisë speciale.

Por, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se kjo kërkesë do të jetë në fokus të bisedimeve mes faktorit ndërkombëtar dhe autoriteteve të vendit me qëllim që t`i krijohen kushte Prokurorisë Speciale që lëndët, të cilat ajo i ngre të marrin dhe epilog gjyqësor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG