Ndërlidhjet

Kërkesa e ambasadës turke nuk është çështje për prokurorinë


Ilustrim
Ilustrim

Komenti thumbues në rrjetin social Facebook nga ana e gazetarit nga Kosova, Berat Buzhala, nuk përmban elemente të veprës penale. Kështu ka deklaruar kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi.

Këto deklarata kanë pasuar reagimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, se “askush nuk mund të ndërhyjnë në gjyqësor dhe në çështjet e gjyqësisë”, reagim ky ndaj kërkesës zyrtare të ambasadës së Turqisë në Prishtinë ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për të ndëshkuar me burg gazetarin Berat Buzhala.

Kryeprokurori Lumezi ka theksuar se çështja e ngritur nga ambasada turke në Kosovë, nuk është çështje për prokurorinë.

“Ne do t’i marrim të gjitha veprimet në përputhje me legjislacionin vendor dhe nëse e shohim që ka ndonjë element të veprës penale, sigurisht që ne do të kyçemi. Por, sa e kam parë unë, nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale dhe kjo nuk është çështje e Prokurorisë së Shtetit, që të merret me këto probleme, të cilat janë shfaqur në mes të një mediumi, faktikisht, një gazetari, si dhe ambasadës turke në Kosovë”, ka sqaruar Lumezi.

Në anën tjetër, kërkesa e ambasadës turke për ndëshkimin e gazetarit Buzhala ka ngjallur reagime të forta në Kosovë.

Vigan Qorolli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Konventa e Vjenës për marrëdhënie diplomatike e lejon komunikimin diplomatik ndërmjet ambasadës së shtetit dërgues dhe vendit pritës.

Por, sipas tij, kërkesa e ambasadës turke në Prishtinë duhet shikuar si e jashtëzakonshme dhe jokonvencionale, e cila është e rrallë në praktikën diplomatike.

“Praktikat diplomatike tregojnë se kjo është një kërkesë jo e bazuar në kritere të Konventës së Vjenës, meqenëse pushtetet në Kosovë janë qartësisht të ndara. Autoritetet politike, në këtë rast Ministria e Punëve të Jashtme, nuk ka të drejtë t’i kërkojë as prokurorit të shtetit, asnjë gjykate, e aq më pak Policisë së Kosovës, që të nisë hetime ndaj një personi, çfarëdo qoftë natyre, qoftë person publik, qoftë person i rëndomtë në jetën e Kosovës”, thotë Qorolli.

Profesor Qorolli ka shtuar se kërkesën e ambasadës turke ndaj Ministrisë së Jashtme të Kosovës e sheh si një inercion për të shuar zërat kritikë që janë edhe në Kosovë ndaj zhvillimeve në Turqi.

“Sigurisht që kemi një ‘shtrat’ të ndikimit të Turqisë në Kosovë, kryesisht përmes faktorit fetar, që lidhet me dominimin e një islamit që kemi pasur ne dhe ky është islam otoman, por edhe së fundmi, kryesisht pas shpalljes së pavarësisë, me ndikimin ekonomik të Turqisë që bëhet në Kosovë.”

“Kjo nënkupton që autoritetet turke janë të interesuara që të kenë ndikim, cilido qoftë apo çfarëdo qoftë, në Kosovë. Prandaj, kërkesa nuk përkon me standarde diplomatike, kur shteti i kërkon shtetit që të ndërhyjë politikisht në organe të pavarura, siç janë prokuroria dhe gjyqësori”, thotë Qorolli.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë shprehet i indinjuar me kërkesën e ambasadës turke në Kosovë.

“Gjëja e parë që më bie ndërmend kur lexoj diçka të tillë është fakti se kërkesa e ambasadores turke për arrestim gazetarësh e shpreh vet natyrën e pushtetit në Ankara, do të thotë, të pushtetit turk të Erdoganit”, thotë Matoshi.

Megjithëkëtë, analisti Matoshi fajëson liderët politik dhe institucional në vend për, siç thotë ai, komoditetin e krijuar, me të cilin ambasada turke shfaqë kërkesa, të cilat, sipas tij, janë ndërhyrje të drejtpërdrejta në punët e brendshme të Kosovës.

“Duket se shteti turk tashmë është mësuar keq nga vet lidershipi i Kosovës që të interferojë në çështjet e brendshme të Kosovës. Ka ndodhur edhe rasti i kërkesave ultimative për ndryshimet në librat e historisë, ndonëse Kosova duhet ta bëjë këtë ndryshim, duke mënjanuar gjuhën e urrejtjes sipas kodekseve të Këshillit të Evropës, por jo sipas kërkesave të ndonjë shteti, sado mik qoftë ai shtet”, shprehet Matoshi.

Ndaj kërkesës së ambasadës turke për ndëshkim të gazetarit Buzhala,të martënka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e cilësuar si skandaloze kërkesën dhe njëkohësisht ka kërkuar largimin nga Kosova të ambasadores Kivilicim Kilic. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG