Ndërlidhjet

logo-print

Tregtia me armë: Përmes Ballkanit drejt Sirisë

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Në një raport të Rrjetit për Hulumtimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), thuhet se qeveritë e Evropës Lindore dhe Qendrore kanë drejtuar një rrjedhë të paparë të armëve dhe municionit tek katër mbështetësit kryesor të opozitës së armatosur në Siri, që prej përshkallëzimit të luftës së përgjakshme civile në vitin 2012.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, redaktorja e OCCRP, Miranda Patruciq, thotë se nga aeroporti “Nikola Tesla” i Beogradit përmes 68 aeroplanëve në 13 muajt e fundit janë bartur armë nga Evropa Qendrore dhe Lindore drejt Lindjes së Mesme dhe Turqisë. Sipas raportit të gjitha armët janë prodhim i vitit 2015 dhe që sot ndodhen në Siri.

Patrucić: Gjatë një viti kemi përvcjellur shënimet që i kanë publikuar grupet kryengritëse në Siri. Në bazë të shenjave të atyre armëve kemi mundur të shohim se disa prej atyre armëve janë prodhuar psh në vitin 2015. Gjithashtu, kemi parë llojin e armëve dhe origjinën e tyre. Shumë shpesh në komentet e palëve kryengritëse janë dhënë shënime se dërgesa “sapo ka arritur”, se ka ardhur nga ky ose ai vend dhe për llojin e armëve. Në disa raste mund të shiheshin edhe kutitë që nuk janë hapur fare. Armë të paketuara së voni në kutia që kanë ardhur deri në Siri”, thotë Patruciq.

Në raport, që OCCRP e ka hartuar së bashku me BIRN, thuhet se vetëm ndërmjet vitit 2015 dhe 2016 nga aeroporti i Beogradit drejt Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë, me 49 aeroplanë janë transportuar lloje të ndryshme të armëve.

Patrucić: Shumica ka shkuar në drejtim të Arabisë Saudite. Pastaj kanë fluturuar për në bazën ushtarake si baza “Princi Sultan”. Një pjesë e fluturimeve kishte destinim Amanin në Jordani. Pas kësaj kemi vërtetuar se një pjesë e madhe e armëve nga Arabia Saudite është transportuar për në Turqi, në një aeroport afër Ankarasë, prej nga janë transportuar për në Siri”, thotë Patruciq.

Ndërkohë, një ekspert për armët i Amnesty International, Patrik Vilken, që ka pasur qasje në dëshmitë që i kanë mbledhur gazetarët, thotë se “kjo flet për ridestinim sistematik të armëve drejt grupeve të armatosura që janë të akuzuara për shkelje të të drejtavë të njeriut” Sipas tij “nëse kjo del të jetë e vërtetë atëherë është në kundërshtim me Marrëveshjen e OKB-së për tregti me armët”.

Miranda Patruciq ndërkaq thotë se në bazë të përcjelljeve të fluturimeve është hetuar ‘se aeroplanët bartës kanë bërë pushime duke bërë ndalesë psh në Serbi për të ngarkuar armë shtesë”.

Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se mbi c’bazë mund të thuhet se bëhet fjalë për kontrabandim të armëve dhe jo tregti ligjore me armë, marrë parasysh se eksporti është dakorduar që prej vitit 2012 dhe flitet për një vlerë prej 1.2 milardë euro, Patruciq thotë:

Patrucić: Për të gjitha blerjet ekziston dokumenti me të cilin vërtetohet se një vend nuk për qëllim që ta rieksportojë më armën, që do të thotë se planifikon ta mbajë atë. Por, fakti është se Arabia Saudite nuk përdorë shumicën e armëve që i blen. Ata kanë armë të shtrenjta që i blejnë nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por blejnë edhe armë të vjetra nga Ballkani. Kemi vërtetim nga terreni se ky armatim transportohet për në Siri ku e përdorin grupacione të ndryshme.

Ju jap shembullin e Serbisë. Në vitin 2013 Serbia ka refuzuar që të jap leje për eksportim të armëve në Arabinë Saudite, me dyshimin se këto armë nuk dedikohen për Arabinë, se atje nuk do të shfrytëzohet dhe se Arabia Saudite këtë lloj armësh nuk e përdorë. Ishte e mjaftueshme që të refuzohet. Sipas ligjit ndërkombëtar, nëse ka dyshime se këto armë mund të përfundojnë diku tjetër, kjo dërgesë duhet të refuzohet.

Pra, e dijmë se Arabia Saudite ka pajisjen më moderne ushtarake dhe armët më moderne, që ushtria e saj i përdorë dhe shohim se nga Ballkani blihen armë që janë më të vjetra se 20 ose 30 vjet ose lloje të armëve që ata nuk i prodhojnë. Pra ka dyshime të mjaftueshme që këto armë nuk do të mbeten në Arabinë Saudite, thotë Patruciq.

Në raportin e Rrjetit për Hulumtimin e Krimit të Organizuar dhë Korrupsionit thuhet se për transport të armëve më së shumti janë përdorur aeroplanët Ilushin IL-76 që mund të transportojë 50 tonë peshë, më përafërsisht 16 mijë kallashnikovë ose 3 milionë fishekë. Aeroplanët e tjerë, sic është Boing 747, mund të bartin peshë dyfish më të madhe.

Miranda Patruciq thotë për Radion Evropa e Lirë se flitet për një sasi të madhe të armëve të prodhuara në gjithë rajonin e Ballkanit, gjatë përiudhës së ish-Jugosllavisë.

Sipas saj, më së shpeshti janë eksportuar pushke automatike AK 47, minahedhës, tanke, mitralezë avionësh dhe me milionë copë fishekë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG