Ndërlidhjet

Kosova e gatshme për sfidën në RIO 2016


Urata Rama, shenjëtare

Urata Rama, shenjëtare

Tetë sportistë nga Kosova, në disiplina të ndryshme, po bëjnë përgatitjet e fundit për të prezantuar vendin në Lojërat Olimpike në Rio, për herë të parë në historinë më të re të vendit.

Të premten, flamuri olimpik përmes një ceremonie zyrtare do të bartet nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tek ekipi i sportistëve që marrin pjesë në Olimpiadë.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i tha Radios Evropa e Lirë se është shumë me rëndësi që të shënohet kjo ngjarje historike.

"Sot (e premte) është ceremonia e dorëzimit të flamurit nga ana e presidentit të Republikës së Kosovës tek Komiteti Olimpik, ku do të tubohen krerët e shtetit, do të tubohen ambasadorët e shteteve këtu në Kosovë, por do të ketë edhe me qindra drejtues sporti, që kanë kontribuar për këtë moment historik", tha Hasani.

Pak ditë kanë mbetur përpara se Kosova të bëjë historinë e Lojërave Olimpike, duke u përfaqësuar për herë të parë që prej shpalljes së pavarësisë së saj.

Në vitin 2014, ajo u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar duke i hapur sportistëve nga Kosova një mundësi më shumë të përfaqësimit në skenën ndërkombëtare.

Vitin e kaluar sportistët nga Kosova morën pjesë në Lojërat Olimpike Evropiane, të zhvilluara në Baku të Azerbajxhanit, si një lloj përgatitje për Lojërat e Rios.

Besim Hasani, i Komitetit Olimpik tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo është një ngjarje shumë me rëndësi për vendin.

"Pa dyshim se pjesëmarrja në Lojërat Olimpike është një ëndërr e kahmotshme, e sportistëve të Kosovës. Sportistët e Kosovës së bashku me trajnerët e tyre dhe të gjithë njerëzit rreth tyre janë të interesuar që të bëhen të gjitha përgatitjet në mënyrë që në këto Lojëra Olimpike historike për ne, të paraqiten në mënyrë sa më të dinjitetshme, dhe të prezantojnë shtetin e Kosovës si është më së miri".

Përgatitjet për sportistët e Kosovës, që përfaqësojnë vendin në Lojërat e Rios, kanë filluar shumë më herët. Në javët ë fundit është shtuar edhe intensiteti I punës.

Kampionja kosovare e notit, Rita Zeqiri, i tregoi Radios Evropa e Lirë për emocionet dhe pritjet që i ka nga pjesëmarrja e saj.

“Kam shënuar shumë fitore gjatë karrierës sime, besoj se në Rio do ta shijojë në maksimum garën, dhe normalisht në kushtet ekzistuese në të cilat jam zhvillu e kam dhënë maksimumin, por edhe në garë do ta dhë maksimumin”.

Në mesin e tetë sportistëve pjesmarrës në Rio, është edhe Urata Rama nga disiplina e shenjëtarisë.

Megjithë kushtet e pa volitshme për përgatitje të denjë, ajo është e gatshme të sfidojë vetën në mesin e sportistëve më të mirë botërorë.

“Unë si person e kam parë vetën që ja arrijë të jem një person me qetësi shpirtërore për të pasur një rezultat të mirë tek ky lloj sporti...fillimisht kur kam filluar nuk e kam menduar suksesin që do ta arrijë deri tash, sepse sporti ose sportistët gradualisht kërkojnë sukses, jo sukses kaq madhështor”, tha Urata Rama.

Pavarësisht rezultateve Lojërat e Rios do të shënohen në të gjitha kanalet sportive të Kosovës, si pjesë të historisë së rëndësishme të saj. Ceremonitë që organizohen për të përcjellë tetë sportistët në Rio, megjtihatë nuk do të jenë të plota, ashtu siç i kanë paramenduar organizatorët.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, thotë se për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje me Komunën e Prishtinës, aktiviteti i paralajmëruar në sheshin Zahir Pajaziti, ku do të prezantoheshin rrathët olimpikë, është anuluar.

Ndryshe, Lojërat Olimpike verore që këtë vit mbahen në Rio de Janeiro të Brazilit, fillojnë më 5 gusht dhe në to do të marrin pjesë 115 vende në disiplina të ndryshme. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG