Ndërlidhjet

Banorët e Aleppos kanë frikë t’i përdorin “korridoret e vdekjes”


Aleppo, 28 korrik 2016
Aleppo, 28 korrik 2016

Agjencitë e ndihmave kanë kërkuar nga regjimi sirian që t’i japë fund rrethimit të pjesës lindore të Aleppos, që kontrollohen nga rebelët. Ndërkohë, banorët kanë mbetur të mbyllur dhe sot nuk kanë guxuar t’i përdorin ato që i kanë quajtur “korridore të vdekjes” për të ikur nga qyteti.

Rusia, një aleate e rëndësishme e presidentit Bashar al-Assad, lajmëroi dje se ka hapur një pasazh humanitar për civilët që kanë mbetur të ngujuar dhe për luftëtarët që duan të dorëzohen e të ikin nga lagjet e qytetit që janë të kontrolluara nga rebelët.

Por sot, vetëm pak banorë të Aleppos kanë ikur nga këto zona përmes vetëm një pasazhi, ndërsa të tjerët që kishin dashur të iknin nga aty ishin penguar nga rebelët, tha drejtuesi i Observatorit sirian për të Drejta të Njeriut, me bazë në Britani të Madhe.

“Diku 12 njerëz arritën ta përdornin korridorin Bustan al-Qasr përpara se grupet rebele t’i riforconin masat e sigurisë dhe t’i ndalonin familjet që t’i qaseshin korridoreve”, tha Rami Abdel Rahman.

Një korrespodent i agjencisë së lajmeve AFP në lindje të Aleppos tha se rrugët ishin të zbrazëta mëngjesin e sotëm dhe se banorët qëndronin brenda.



XS
SM
MD
LG