Ndërlidhjet

Operatorët turistikë në Maqedoni thonë është zvogëluar dukshëm numri i qytetarëve të Maqedonisë, të cilët vendosin për kaluar pushimet verore në bregdetin e Turqisë pas tentativës së 15 korrikut për grusht-shtet në Turqi dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend.

“Po ka shumë nga ata që anulojnë rezervimet për të kaluar pushimet në Turqi. Mund të them se gjysma e atyre, të cilët kishin rezervuar, janë tërhequr. Ndërkohë që ka shumë pak nga ata, të cilët vendosin për të rezervuar për gushtin dhe shtatorin edhe pse tani kemi oferta me çmime dyfish më të lira krahasuar me një vit më parë”, thotë Angel Ivanov, punonjës në një agjenci turistike.

Qytetarët e Maqedonisë kryesisht thonë se situata e pasigurt ka bërë që të mos mendojnë për t’i kaluar pushimet në Turqi, ndonëse ka dhe nga ata që thonë se Turqia është vend i sigurt, si për pushime, ashtu edhe studime.

Nuk kemi pse të rrezikojmë dhe të udhëtojmë drejt bregdetit të Turqisë, ku siç shohim për çdo ditë, rreziku është permanent, sepse jo rastësisht në Turqi vazhdojnë arrestimet. Pra, përderisa atje vazhdojnë arrestimet, kjo tregon se shteti nuk është stabil pas një grusht-shteti të dështuar”, shprehet Naimi, i cili bashkë me familjen e tij thotë se pushimet do t’i kalojë në Shqipëri.

Ndërkaq, Kire, punonjës në një IT kompani, thotë se me familjen e tij kishte planifikuar të shkonte në Turqi, por ka hequr dorë si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit

“Mendoja të shkoja në Turqi, por gjithsesi se nuk do të shkoj pas asaj që ndodhi atje, sulmet terroriste, tentimi për grusht-shtet, duket qartë se vendi nuk është aspak i sigurt”, thotë Kire.

Përderisa Merita, e cila e ka vajzën në shkollë verore në Turqi nuk ndjen ndonjë rrezik për të udhëtuar në këtë vend:

Po me vetë faktin që besoj në sigurinë e shtetit turk, unë e kam vajzën atje në një shkollë verore dhe menjëherë në ditën e tretë pas tentimit për grusht-shtet, shkoi vajza atje. Mirë po kalon kështu që unë nuk ndjej ndonjë shqetësim”.

Por, kështu nuk mendon Nada, pensioniste, e cila na shpjegon se ka këshilluar edhe fëmijët të mos shkojnë në Turqi.

“E dini, lëvizjet e turistëve janë grupore dhe cak i sulmuesve janë vendet e frekuentuara. I luta fëmijët të mos shkojnë këtë verë në Antali, edhe pse me vite kanë shkuar atje”, thotë Nada.

Ndryshe, edhe ambasadori i Turqisë në Maqedoni, Omer Solendil, për medie, deklaron se zhvillimet e fundit në Turqi, më së shumti kanë goditur turizmin, ndonëse ai siguron qytetarët e Maqedonisë se autoritetet turke kanë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar turistët.

”Mund të themi se sektori, i cili pësoi më së shumti është turizmi. Mirëpo, sa i përket aspektit të sigurisë së turistëve, unë nuk shoh asnjë rrezik në kushte normale, sepse ne i kemi marrë masat e duhura. Megjithatë, gjëra të këtilla ndodhin edhe në vendet e tjera të Evropës”, deklaron Solendil.

Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike Maqedoni-Turqi, Tuna Ejup Kahvexhi, bën të ditur se zhvillimet e fundit në Turqi nuk kanë ndikuar në jetën e përditshme të qytetarëve atje, dhe aq më pak në aspektin ekonomik.

Kahvexhi thekson se raportet ekonomike shënojnë trend pozitiv, madje thotë se bashkëpunimi ekonomik mes Maqedonisë dhe Turqisë, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ka shënuar rritje prej 21.5 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë kohore gjatë vitit 2015.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG