Ndërlidhjet

Kuvendi i Maqedonisë, institucion në shërbim të partive


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Me miratimin e ndryshimeve ligjore nga marrëveshja politike dhe rishikimin e buxhetit, Kuvendi i Maqedonisë ka mbyllur sesion veror të punimeve. Të gjitha këto ndryshime janë miratuar thuajse pa debat dhe me procedurë të shpejtuar, ndërsa disa propozime të dala nga opozita janë shpërfillur, para se gjithash ato që kanë të bëjnë me buxhetin.

Një ritëm të këtillë të punës në miratimin e propozimeve që vijnë nga pushteti ekzekutiv, Kuvendi e ka shënuar edhe gjatë periudhës së kaluar. Miratimi i ligjeve pa debat dhe me procedurë të shpejtuar, sipas organizatave që mbikëqyrin punën e institucionit ligjvënës, humb kuptimin e punës së Kuvendit, i cili, sipas tyre, më tepër i ngjan një makinerie votuese se sa një shtëpie ku duhet të ketë debat të shëndoshë dhe konstruktiv në miratimin e ligjeve.

“Jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por tanimë një kohë të gjatë Kuvendin e Maqedonisë e karakterizon një punë e tillë. Deputetët veprojnë sipas udhëzimeve që marrin nga shefat e grupeve parlamentare, apo të partive që përfaqësojnë. Kjo dëshmohet me faktin se thuajse asnjëherë apo shumë rrallë ndodh ndonjë që ndonjë deputet të votojë sipas bindjeve të tij".

"Thjesht, ata më mund t’i ngjajnë një makinerie votuese së të zgjedhurve të popullit, apo që të jenë në shërbim të atyre që i kanë zgjedhur për të përfaqësuar interesat e tyre”, thotë Jovan Bliznakovski nga Instituti për Demokraci, i cili përgjatë dhjetë viteve mbikëqyr punën e Kuvendit të Maqedonisë, debatet brenda seancave, fjalimet e deputetëve, si dhe rregullshmërinë e tyre.

Ai thotë se për të pamundësuar debatet brenda seancave kuvendare, shpeshherë është ndryshuar edhe rregullorja e punës së Kuvendit.

Një dukuri interesante është fakti me ndryshimet në rregullën e punës që janë bërë nga viti 2008 e këndej. Me këto ndryshime, kryesisht është shkurtuar koha e fjalimeve të deputetëve, ndërsa ajo e kryetareve të grupeve parlamentare është rritur. Kjo flet qartë se për Kuvendin më me rëndësi janë fjalimet e krerëve të grupeve parlamentare që mbrojnë interesat e partive se sa fjalimet individuale të deputetëve”, thekson Blizankovski.

Ismet Ramadani, ish-deputet, thotë se Kuvendi ndodhet në gjendje të tillë pikërisht për shkak të krerëve të partive politike, të cilët gjatë përzgjedhjes së kandidatëve të tyre për deputet, si prioritet kryesore nuk kanë aftësitë e kandidatëve, por besnikërinë që ata kanë ndaj liderit dhe partisë.

“Mendoj se kjo gjendje është për shkak të përzgjedhjes së deputetëve. Për formimin e listave të kandidatëve për deputet vendos një grup i ngushtë rreth liderit të partisë dhe zakonisht ata përcaktohen për kandidatë për deputet të cilët do të jenë të sigurt se janë të dëgjueshëm, të cilët nuk kanë unin e vet dhe të cilët pranojnë direktiva nga lartë”, thotë Ramadani.

Ai shton se nga të zgjedhurit e tillë nuk mund të priten debate dhe kundërshtime gjatë seancave të Kuvendit. Për gjendjen e këtillë Ramadani fajëson formën e zgjedhjes së deputetëve me lista të mbyllura. Mungesa e një debati të hapur në Kuvend, sipas Ramadanit, është edhe një nga faktorët e paraqitjes së krizës politike në vend.

“Mund të thuhet se shkak për paraqitjen e krizës politike dhe mungesës së zhvillimit të mirëfilltë demokratik është edhe Kuvendi dhe roli i tij. Kuvendi nuk po e kryen detyrën e tij të përcaktuar me Kushtetutë në krijimin dhe kontrollimin e punës së institucioneve tjera”, shton Ramadani.

Instituti për Demokraci, ndërkohë ka prezantuar të dhëna edhe për pjesëmarrjen deputetëve gjatë seancave plenare. Sipas të dhënave të publikuara, dy deputetët me më shumë mungesa, janë liderët e dy partive shqiptare, Ali Ahmeti i BDI-së, dhe Menduh Thaçi i PDSH-së, me nga 64 përkatësisht 63 mungesa. Ata, gjithashtu, gjatë gjashtë muajve të kaluar nuk kanë marrë asnjëherë fjalën në Kuvend, qoftë në seanca plenare apo në trupat kuvendare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG