Ndërlidhjet

Trump thotë se nuk është takuar e as që ka biseduar me Putinin


Donald Trump

Donald Trump

I nominuari i Partisë Republikane për president amerikan, Donald Trump, tha se nuk ka kurrfarë lloji të raporteve me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe ka theksuar se ai asnjherë nuk e ka takuar atë e as që ka biseduar me telefon me të.

Mëtutje, mbrëmë në rrjetin amerikan ABC, ai është shprehur se Putini “nuk do të shkoj në Ukrainë”, ndërsa pas ndërhyrjes së moderatorit të programit, ai theksoi “në rregull, në një mënyrë ai është atje, por unë ende nuk jam atje”, në një referencë të qartë se ai ende nuk është president i Shteteve të Bashkuara.

Zoti Trump ka theksuar se nëse zgjedhet, do ta konsideronte njohjen e aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë.

“Unë do të shikoja në këtë”, tha Trump dhe ka shtuar se “por ju e dini se populli në Krime, nga ajo që kam dëgjuar, më parë do të jetë me Rusinë se sa aty ku janë dhe ju, po ashtu, duhet ta shikoni këtë”.

Kjo lëvizje do të ishte ndryshim nga politika e jashtme e administratës së presidentit aktual amerikan, Barack Obama, që refuzon ta njohë okupimin ilegal të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në mars të vitit 2014.

Zoti Trump ka thënë, po ashtu, se nuk ishte i involvuar në lëvizjen me të cilën është zvogëluar mbështetja për Ukrainën në platformën e Partisë Republikane.

Mbështetësit e tij në Konventën Kombëtare Republikane në muajin korrik, e kanë parandaluar që një referencë të shtohet në agjendën e politikës së jashtme të partisë për furnizimin me armatim për qeverinë e Ukrainës, në luftën e saj kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia, në pjesën lindore të Ukrainës.

XS
SM
MD
LG