Ndërlidhjet

Mustafa: Tryeza për demarkacionin ta përcaktojë nëse ka humbje të territorit


Isa Mustafa
Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha të hënën se Kosova duhet të përmbushë obligimin e saj ndaj Bashkimit Evropian, në rast se ‘argumentet në tryezën për demarkacionin do të jenë në favor të mos humbjes së territorit të Kosovës me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi”.

Mustafa tha se në rast të ‘argumentimit për humbje të territorit duhet të përcaktohet qartë ajo pjesë që është administruar nga Kosova prej vitit 1974 dhe që vlerësohet të jetë humbur”.

Kryeministri Mustafa tha se në rast të dështimit në procesin e demarkacionit “do të kërkohet përgjegjësi konkrete”.

“Në qoftë se nuk gjendet ai territor ata që e kanë krijuar kauzën duhet të tërhiqen nga kauza dhe duhet të votojnë shënimin e vijës kufitare në mënyrë që ne të përmbushim edhe atë detyrim që e kemi ndaj BE-së për liberalizim të vizave dhe jo vetëm për liberalizim të vizave por edhe çështje të tjera të integrimit evropian”, tha kryeministri Mustafa në një ceremoni të përurimit të një ure në fshatin Plemetin të Obiliqit, të banuar me shumicë serbe.

Një tryezë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi pritet të organizohet të mërkurën në të cilën do të prezantohen argumentet e palëve, për herë të parë që prej kundërshtimeve me gazlotësjellësi të opozitës në Kuvend ndaj procesit.

Demarkacioni pati bllokuar për një kohë punimet e Kuvendit dhe ai edhe më tutje mbetet çështje e kundërthënshme megjithëse Komisioni Evropian e trajtoi si një kusht për Kosovën në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Mustafa, duke folur të hënën për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, çështje kjo që njëkohësisht me demarkacionin ka përplasur pozitën me opozitën, tha se krijimi I tij është I ndërlidhur me shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, megjithëse u angazhua për vazhdim të dialogut me palën serbe. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG