Ndërlidhjet

Gabriel: Turqia të mos e shantazhojë BE-në dhe Berlinin


Zëvendës kancelari gjerman, Sigmar Gabriel
Zëvendës kancelari gjerman, Sigmar Gabriel

Gjermania dhe Bashkimi Evropian nuk duhet të kërcënohen nga Turqia gjatë bisedimeve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Turqisë, ka thënë zëvendës kancelari gjerman, Sigmar Gabriel.

“Varet nga Turqia nëse do të ketë apo jo liberalizim të vizave”, ka thënë Gabriel gjatë një udhëtimi në Gjermaninë veriore dhe ka shtuar se “Gjermania dhe Evropa nuk duhet në asnjë rast të shantazhohen”.

Gabriel gjithashtu e ka mirëpritur vendimin e gjykatës më të rëndësishme gjermane që ia ka ndaluar presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan t’i drejtohet një marshi në Këln të dielën.

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusohlu në komentet e publikuara në fundjavë në Ankara ka thënë se Turqia mund të tërhiqet nga marrëveshja me BE-në për ndalimin e refugjatëve që të mos shkojnë drejt BE nëse Brukseli nuk e miraton loberalizimin e vizave për turqit.

Qasja e qytetarëve të Turqisë pa viza në vendet e zonës shengen shihet si shpërblimi më i madh për Ankaranë e cila është pajtuar të ndalojë refugjatët që të shkojnë drejt vendeve të Evropës.

Kjo është shtyrë disa herë si pasojë mospajtimeve Bruksel Ankara rreth ligjeve turke kundër terrorizmit dhe masave që Ankaraja i ka ndërmarrë pas grusht shtetit të dështuar të 15 korrikut.

XS
SM
MD
LG