Ndërlidhjet

logo-print

Tahiri: Më 14 gusht hiqet barrikada në urën mbi Ibër


Ministrja për Dialog e Qeverisë e Kosovës, Edita Tahiri, ka bërë të ditur se “revitalizimi i urës dhe heqja e barrikadës mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë do të fillojë më 14 gusht 2016 dhe këtë proces do ta realizojë Bashkimi Evropian”.

Në një deklaratë ministrja Tahiri ka konfirmuar se negociatat e zhvilluara në Bruksel dy di të më parë, “kanë arritur që të përcaktojë afatet dhe Bashkimi Evropian tashmë ka bërë deklaratën zyrtare e cila shpjegon të gjitha hapat praktike dhe afatet deri në përfundimit e procesit të revitalizimit dhe heqjes së barrikadës”.

Ajo më tej ka thënë se "pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh të përfundimit të luftës në Kosovë, ura e Mitrovicës do të jetë një urë e lirë bashkuese si në gjithë botën dhe ajo do të shërbejë për lëvizjen e plotë dhe të lirë të njerëzve dhe automjeteve ashtu siç është përcaktuar në marrëveshjen e Brukselit të datës 25 gusht 2015".

Ditë më parë ndërkaq, drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, kundërshtoi deklarimet e ministres Tahiri, duke theksuar se ura nuk do të hapet për qarkullim. Zyrtarët e BE-së ndërkaq kanë kërkuar nga palët që të tregojnë përmbajtje dhe “të respektojnë marrëveshjet e arritura në dialog”.

Barrikada mbi urën kryesore u vendos në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri.

Ajo u zëvendësua me bllokada të reja duke nxitur reagimet e qytetarëve për mungesë të lirisë së lëvizjes.

Në gusht të vitit 2015, palët në takimin e Brukselit u pajtuan që ura të lirohet për qarkullim, por i gjithë procesi u shty për gati një vit.

XS
SM
MD
LG