Ndërlidhjet

logo-print

Olimpiadë: Medalja historike për Kosovën, derisa Gjokoviq eliminohet

  • RFE /RL

Xhudistja Majlinda Kelmendi ka bërë histori olimpike për Kosovën duke e fituar medaljen e artë në xhudo për femra, me ç’rast u bë sportisja e parë nga Ballkani, që ka fituar medalje olimpike në xhudo.

Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e parë të artë në Olimpiadën në Rio-de-Zhanejro, duke e vënë Kosovën në hartën sportive botërore dhe duke dërguar mesazh të shpresës për brezin e ri të saj, raporton agjencia AFP.

Sportistja kosovare, 25 vjeçare, me lot në sy e përjetoi fitoren kundër xhudistes italiane, Odette Giuffrida, me lëvizjen e ashtuquajtur “yuko”.

Menjëherë pas fitores ajo vrapoi në përqafim të sipmatizuesve, që duke qëndruar në këmbë brohoritnin “Kosova, Kosova”.

“Gjithnjë kam dëshiruar t’i tregoj botës se Kosova nuk është vetëm vend që ka kaluar nëpër luftë”, tha Majlinda Kelmendi, e mbështjellur me flamurin e Kosovës, dhe ka shtuar se “kjo medalje do të thotë shumë, jo vetëm për sportin e Kosovës, por për gjithë Kosovën si shtet”.

Medaljen e artë asaj ia dorëzoi presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

“I kisha shumë gjëra në mendjen time kur isha në podium”, tha Majlinda Kelmendi dhe ka shtuar se “atëherë erdhi zoti Thomas Bach”.

Majlinda e ka përkujtuar një pjesë të bisedës gjatë takimit në Kosovë me presidentin e KON-it, Thomas Bach.

“Para një viti, ai pati ardhur në Kosovë dhe tha: jam këtu për mbështetjen e juaj dhe dëshiroj t’ju shoh që ju të fitoni në Rio”, tha Majlinda Kelmendi dhe i përsëriti fjalët e zotit Bach, gjatë dhënies së medaljes: “ju kujtohet se ju e kishit një ëndërr, tash ju e realizuat atë dhe më keni bërë shumë krenar dhe më keni bërë të qajë”.

Agjencia AFP raporton se xhudistja Kelmendi ka thënë se “çdokush në Kosovë i ka shikuar luftërat e mia dhe kanë pritur fitore, për këtë arsye isha aq e motivuar”.

Ajo ka theksuar se fëmijët në Kosovë e konsiderojnë atë “heroinë” dhe unë dëshmova se “pasi e mbijetuam luftën, nëse ata dëshirojnë diçka, mund ta arrijnë këtë”.

Në ditën e dytë të garave në Olimpiadën në Rio-de-Zhanejro, për Serbinë, vend fqi i Kosovës, ishte ditë e dëshprimit, pasi numri 1 i tenisit botëror, Novak Gjokoviq, ka humbur në xhiron e parë të garave individuale dhe është eliminuar nga garat e mëtejshme.

Gjokoviq është eliminuar nga tenisti argjentinas, Juan Martin del Potro, i cili e kishte mundur Gjokoviqin edhe në duelin për medalje të bronztë në Olimpiadën e Londrës, para katër vitesh.

Del Potro, 27 vjeçar, radhitet i 145-ti në listën e tenistëve më të mirë botërorë. Ai i ka pasur disa operacione të dorës, që e kishin vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në garat e tenisit.

Një befasi tjetër e madhe në tenis, ka ndodhur në turneun e çifteve të femrave, pasi motrat amerikane, Venus dhe Serena Williams, pësuan disfatë në xhiron e parë nga çifti çek, Lucie Safarova – Barbora Strycova.

Notuesi amerikan, Michael Phelps, e ka fituar medaljen e tij të 19 të artë dhe gjithsej medaljen e 23-të olimpike, në kaudër të stafetës 4x100 metra.

Notuesja e Shteteve të Bashkuara, Katie Ledecky, e ka thyer rekordin e saj botëror në 400 metra stil të lirë, duke fituar medaljen e artë me kohë 3 minuta e 56.46 sekonda.

Në ditën e dytë të garave olimpike, notuesja e Suedisë, Sarah Sjostrom, po ashtu, e ka thyer rekordin e saj botëror në 100 metra flutur, duke e fituar medaljen e artë me kohë 55.48 sekonda.

Notuesi britanik, Adam Peaty, ka arritur rekord të ri botëror për herë të dytë gjatë dy ditëve. Ai e fitoi medaljen e artë në 100 metra me stil gjoksi dhe u bë notuesi i parë britanik që ka fituar medaljetë artëolimpike në 28 vitet e fundit.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka njoftuar se gjithsej 278 sportistë rusë deri tash janë lejuar të marrin pjesë në Lojërat Olimpike në Rio-de-Zhanejro, pas akuzave masive për doping të sponzorizuar nga shteti në Rusi. Moska kishte planifikuar që në Brazil t’i kishte 389 sportistë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG