Majlinda Kelmendi ka refuzuar që ta bëjë një test të dyshimtë të dopingut në Francë, para Olimpiadës së Rios.
Siç raporton agjencia e lajmeve Reuters, procedura që i kërkuar xhudistes nga Kosova e cila të dielën i siguroi Kosovës medaljen e parë olimpike ka qenë “e dyshimtë” dhe për këtë ekipi i saj nuk ka pranuar që Kelmendi t’i nënshtrohet testit.
Edhe Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IFJ) i ka thënë Reuters se “procedura është kontestuar nga atletja dhe trajneri i saj si diçka që dukej e dyshimtë edhe në nivelin e Federatës (IFJ)”.
Gazeta britanike, “The Guardian” e ka cituar presidentin e Federatës së Kosovës në Xhudo, Agron Kuka duke thënë se zyrtarja që ia ka kërkuar Kelmendit ta bëjë testin e dopingut, nuk ka prezantuar asnjë dokument për të treguar nëse e përfaqëson Agjencinë Ndërkombëtare Kundër Dopingut (WADA).
“Ekipi ka qenë në një fushë trajnuese në Francë dhe një person erdhi dhe i kërkoi asaj të bëjë një kontroll për doping. Por, personi në fjalë, nuk kishte asnjë autorizim nga WADA apo ndonjë agjenci tjetër. Dhe, ky është fundi i këtij tregimi”, e citon Kukën The Guardian.