Ndërlidhjet

logo-print

Demarkacioni kthen gazin lotsjellës në Kuvend


Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Malit të Zi, nga Komisioni i Punëve të Jashtme, ka rikthyer sërish gazin lotsjellës në Kuvend.

Driton Çaushi deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje pak para se të votohet Projektligji nga komisioni për procedim në Kryesinë e Kuvendit për procedura të mëtutjeshme, ka hedhur gazin lotsjellës në sallë ku po mbahej mbledhja. Ai më pas, për këtë veprim është shoqëruar në polici.

Anëtaret e komisionit për Punë të Jashtme dhe deputetë të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kundërshtuar në vazhdimësi procedimin e projektligjit në Kryesinë e Kuvendit, duke kërkuar që i njëjti të anulohet dhe të arrihet një marrëveshje e re me Malin e Zi.

Pretendimet e Vetëvendosjes, por edhe opozitës në përgjithësi dhe disa deputetëve nga partitë në pushtet janë se me këtë marrëveshje, Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se deklarimet e partive politike opozitare se Kosova ka humbur territor me marrëveshjen për Demarkacionin e vijës kufitare me Malin e Zi nuk qëndrojnë.

Kryeministri në një konferencë për media të organizuar nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror e që është mbajtur në ndërtesën e qeverisë tha se kauza e opozitës rreth Demarkacionit është e rrejshme dhe me motive politike.

"Kauza e opozitës, por edhe insistimi i disa gjeografëve se Kosova ka humbur territor duke përdorur lloj - lloj hartash edhe duke mos marr parasysh realitetin mbi te cilin është shpallur pavarësia e Kosovës konsideroj se është e rrejshme është krejtësisht me motive politike dhe është për përfitime politike duke shfrytëzuar edhe terminologji nacionaliste", tha Mustafa.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Donika Kadaj - Bujupi tha nëse Kuvendi ratifikon këtë Marrëveshje, atëherë kundërshtimi do të jetë i masa radikale që do të mund të reflektojnë në gjendjen e gjithanshme të sigurisë në vend.

Ajo ka kundërshtuar projektligjin dhe ka kërkuar që t’i kthehet Qeverisë e cila e ka proceduar për miratim në Kuvend.

"Si Lëvizje Vetëvendosje do t'i përdorim të gjitha format. Të gjitha pa përjashtim. Edhe mënyrat jo konvencionale, në mënyrë që me ndal ketë tradhti sepse ma shumë asnjëherë nuk ka pasur zëra kundër një marrëveshje kundër një vendimi kundër një ligji dha në fund kanë votuar për. E prandaj ne nuk guxojmë të lejojmë që të vij në kuvend për votim", ka thënë Donika Kadaj Bujupi.

Ndërkohë, deputeti Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovësthotë se me veprimet e saj, qeveria po krijon huti dhe po e thellon krizën politike në vend.

"E them para jush, para deputeteve, para të gjitha medieve se qytetaret janë shumë të shqetësuar dhe nëse kalon kjo marrëveshje, me besoni se do të fillojmë një revoltë që ndoshta askush nuk ka dëshirë të përjetojë", ka paralajmëruar Lekaj.

Por, anëtaret e Komisionit për Punë të Jashtme nga partitë në pushtet kanë dhënë arsyetimet e tyre, sipas të cilave, marrëveshja është arritur në bazë të rregullave dhe ligjeve në fuqi.

Ata gjatë mbledhjes së komisionit kanë përsëritur qëndrimet se Kosova më marrëveshjen e arritur me Malin e Zi për Demarkacion, nuk humbur asgjë.

Deputeti Ismet Beqiri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës pos tjerash ka kundërshtuar paralajmërimet e opozitës se do ta tensionojnë gjendjen në vend.

"Alternativë e institucioneve për mua nuk ka qenë dhe nuk ka për të qenë kurrë e as mjetet jo konvencionale e të ngjashme. Kurrë dhuna nuk është alternativë për institucionet që kemi punuar. Kushdo që e mendon ndryshe përgjegjësinë e mbanë vet dhe alternativë nuk është rruga e as dhuna", ka theksuar Beqiri.

Kurse kryetari i komisionit për Punë të Jashtme, Hilmi Reçica nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se qëndrimet aktuale të opozitës nuk i duhen vendit. Sipas tij, ajo çfarë ka bërë sot opozita në mbledhjen e komisionit në Kuvend duke hedhur gazin lotsjellës, paraqet një pabesi të madhe.

"Janë qëndrime të cilat mund të dëmtojnë këtë vend. Ata për qëndrimet e tyre nuk janë të vetëdijshëm. Ne ua mundësuam që të flasin më shumë se të tjerët dhe në fund të bëjnë një veprim të tillë. Kjo e ka veç një emër, kjo është pabesi tipike", ka thënë Reçica.

Megjithatë, përkundër situatës së krijuar pas hedhjes së gazit lotsjellës, projektligj u hodh në votim dhe u përkrah me 6 votat e anëtarëve të Komisionit, që ishin deputetë nga radhët e partive në pushtet.

Pas shqyrtimit që ky komisioni i bëri projektligjit ai pritet të procedohet në Kryesinë e Kuvendit dhe më pas ky organ pritet të caktoj mbajtjen e seancës për ratifikimin e Marrëveshjes.

Qeveria e Kosovës javën e kaluar ka dërguar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, vetëm pak orë pasi u përmbyll një debat në tryezën shkencore-profesionale të Kuvendit të Kosovës, me pjesëmarrjen e deputetëve, ekspertëve, Komisionit Shtetëror, udhëheqësve të institucioneve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi ka ngjallur për afër një vit reagime të fuqishme të opozitës, e cila bllokoi punimet e kuvendit duke përdorur edhe gazin lotsjellës. Kurse tani kur çështja është në prag të votimit, opozita paralajmëron edhe reagime tjera, qofshin ato protesta apo edhe përshkallëzim të situatës së sigurisë vetëm e vetëm që të mos lejohet ratifikimi i Demarkacion it aktual me Malin e Zi.

Nisur nga këto, zhvillimi Instituti Demokratik i Kosovës i cili monitoron nga afër punën e Kuvendit përmes një komunikate u bën thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve politike që të ushtrojnë të drejtat e tyre parlamentare dhe të mos cenojnë të drejtën e asnjërit deputet për të ushtruar mandatin dhe përgjegjësitë kushtetuese për të cilat janë të zgjedhur. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG