Ndërlidhjet

Medaljet e arta ruse nën hijen e suspendimit të atletëve


Në Lojërat Verore Olimpike në Rio-de-Zhanejro, Rusia ka fituar më tepër medalje të arta, por atletët e disiplinave në shtigje dhe fusha janë suspenduar nga garat.

Atletja ruse në kërcim së gjati, Darya Klishina, tha se ajo ka dëshmuar shumë herë se është sportiste e pastër dhe ndjehet e tradhtuar pas vendimit të mbrëmshëm për suspendim.

Rrjedhimisht, ajo ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport kundër vendimit të Asociacionit Ndërkombëtar të Federatave të Atletikës (IAAF) për suspendimin e saj dhe pret që vendimi për apelin e saj të merret para 16 gushtit, kur fillojnë garat në kërcim së gjati në Olimpiadë.

Federata nuk ka thënë se përse Darya Klishinës i ishte ndaluar pjesëmarrja, por ajo pranon se ky vendim është i ndërlidhur me skandalin e dopingut në Rusi.

Klishina, që kishte zhvilluar stërvitje në Shtetet e Bashkuara, paraprakisht ishte e vetmja sportiste ndër meshkuj dhe femra në ekipin e Rusisë, që lejohej të merrte pjesë në garat në shtigje dhe terrene.

Ministri i sportit i Rusisë, Vitaly Mutko, ka vlerësuar se vendimi për moslejimin e atletes Klishina është “provokim”.

“Tash në shënjestër të tyre janë sportet ruse”, i tha Mutko agjencisë së lajmeve TASS.

Hakerët e sulmojnë faqen e një sportisteje të Rusisë

Në një zhvillim të ndërlidhur, Agjencia Botërore Kundër Dopingut (WADA) ka shpallur se një faqe në Internet, e shtetases ruse, Yulia Stepanova, ku gjurmohen rastet e testeve të atletëve rusë, ishte sulmuar nga hakerët.

Kjo agjenci ka thënë se faqja e Stepanovës ishte sulmuar në mënyrë “ilegale” kështuqë hakerët kishin arritur të kenë qasje në faqen e të dhënave të saj, ADAMS.

Yulia Stepanova, vrapuese në 800 metra, dhe bashkëshorti i saj, kishin paraqitur dëshmi të dopingut të përhapur gjërësisht në degët atletike në shtigje dhe fusha në Rusi.

Në Lojërat Olimpike në Rio-de-Zhanejro, pavarësisht nga problemet e atletëve, sportistët e tjerë të Rusisë po arrijnë suksese. Në garat e skermës, Rusia e ka fituar edhe medaljen e katërt të artë, pas fitores kundër Ukrainës në garat ekipore të femrave.

Kjo ishte medalja e 7-të në skermë për seleksionin e Rusisë, që është numri më i madh i medaljeve në këtë sport, në krahasim me shtetet e tjera.

Prej skermisteve më të suksesshme ruse është Sofia Velikaya, e cila nuk ka pësuar asnjë disfatë.

Në këtë garë, Shtetet e Bashkuara e fituan medaljen e bronxtë. Anëtare e seleksionit amerikan ishte edhe skermistja amerikano-iraniane, Ibtihaj Muhammad, pjesëtarja e parë e ekipit olimpik amerikan që ka bartur shami në kokë gjatë garave.

Dikur i dënuar për metadon, tash fitues i arit

Në ditën e tetë të Lojërave Olimpike në Rio-de-Zhanejro të Brazilit, Irani e ka fituar edhe medaljen e dytë të artë në peshëngritje, pasi sportisti Sohrab Moradi, fitoi në kategorinë deri në 94 kilogramë për meshkuj.

Ky sportist, që më parë kishte qenë i dënuar dy vite për shkak të testit pozitiv në substancën metadon, ka dominuar në këtë disiplinë, duke i ngritur gjithsej 403 kilogramë.

Prej sportistëve të tjerë, janë dalluar Uladzislau Hancharou i Bjellorusisë, i cili e fitoi medaljen e artë olimpike në trampolinën për meshkuj, duke e mundur fituesin e medaljes së artë në olimpiadën e kaluar, kinezin Dong Dong.

Në garat e boksit, rusi Yevgeniy Tishchenko, është kualifikuar për finale në kategorinë e rëndë, ku do të takohet me përfaqësuesin e Kazakistanit, Vassily Levit.

Pse ishte ngjyrosur uji në pishina?

Prej zhvillimeve të tjera, veçojmë edhe njoftimin e zyrtarëve olimpikë se çka kishte ndikuar që uji në pishina të notit, nga ngjyra e kaltër të merrte ngjyrën e gjelbër. Kjo kishte ndodhur për shkak të mbetjeve aksidentale të peroksidit të hidrogjenit.

Një kontraktor i kishte shtuar 80 litra të këtij elementi kimik në pishinat e kërcimeve dhe të uaterpolos më 5 gusht, por organizatorët këtë e zbuluan më 9 gusht kur uji në pishina kishte marrë ngjyrën e gjelbër, nga ngjyra tipike e kaltër, gjatë finales së kërcimeve në ujë nga lartësia 10 metra, në kategorinë e femrave.

Sipas organizuesve, pjesa shtesë e peroksidit të hidrogjenit e kishte neutralizuar klorin dhe kishte lejuar që algët të lulëzonin!

Uji me ngjyrë të gjelbër në pishina paraqiste kokëdhembje të madhe për organizuesit e Lojërave Olimpike në Rio dhe ishin bërë temë e shakave në mesin e miliona spektatorëve në Rio dhe atyre në ekranet televizive.

Disa notues janë akuzuar për kruerje të syve.

Zyrtarët thanë se pasi janë zbrazur, pishinat do të mbushen përsëri.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG