Ndërlidhjet

logo-print

Përfundon pa marrëveshje dialogu për kodin telefonik të Kosovës


Edita Tahiri

Edita Tahiri

Ka përfunduar pa rezultat edhe një raund bisedimesh ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, i mbajtur në Bruksel, për çështjen e kodit telefonik. Takimi, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e ministres për Dialogun të Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka zgjatur rreth 20 orë.

Në agjendën e këtij takimi temë kryesore ishte përfundimi i hapave drejt marrjes së kodit telefonik shtetëror për Kosovën, 383 nga ana e ITU-së (Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit).

“Edhe përkundër angazhimeve të delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të BE-së që kjo çështje të përmbyllet përfundimisht në këtë takim dhe edhe përkundër përparimeve të mëdha të arritur në dy takimet e fundit për këtë çështje, pala serbe nuk pati gatishmëri për të rrumbullakuar këtë proces”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, sipas komunikatës, ka pasur përparime për mbylljen e çështjeve të hapura të karakterit teknik, mirëpo pala serbe, siç thuhet më tej, kishte tendenca të rihapjes së marrëveshjes për telekomin, të cilën delegacioni i Kosovës e kundërshtoi kategorikisht.

Mungesën e rezultateve konkrete e ka konfirmuar edhe shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Ai ka thënë se marrëveshja për çështjen e telekomunikacionit nuk është arritur, pavarësisht se dallimet mes palëve janë të vogla.

XS
SM
MD
LG