Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria shqiptare dhe serbe takohen në Nish me pjesëmarrjen e Kosovës


Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq (majtas) dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi të mëhershëm në Vjenë, gusht 2015

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq (majtas) dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi të mëhershëm në Vjenë, gusht 2015

Një takim i përbashkët i qeverisë së Serbisë dhe asaj të Shqipërisë, në praninë e përfaqësuesve të Kosovës, pritet të mbahet brenda një muaji në Nish, mëson Radio Evropa e Lirë nga burime të afërta me Qeverinë në Beograd.

Hollësitë e takimit nuk janë saktësuar, por mendohet se në këtë takim nuk do të marrin pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ose kryeministri Isa Mustafa, por një nivel më i ulët politik. Delegacionin e Shqipërisë do ta udhëheqë kryeministri Edi Rama.

Takimin në Nish, që ende është në fazën e planifikimit, e inicoi Beogradi dhe koncepti i tij është që të mos jetë dialog ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij serb, por dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon. Për këtë arsye edhe do të ftohen përfaqësuesit e institucioneve nga Kosova.

Në takim, siç i është thënë Radios Evropa e Lirë, në mënyrë jozyrtare nga burime të afërta me Qeverinë e Serbisë, pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues serbë e shqiptarë nga rajoni, por lista përfundimtare ende nuk është përcaktuar.

Ajo që ka qenë e paparamendueshme të ndodh pak muaj më parë duket se mund të realizohet së shpejti.

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, i tha nënpresidentit amerikan Joe Biden, gjatë vizitës së këtij të fundit në rajon, në një periudhë të ngecjeve të përparimit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, se brenda një muaji “do ta mirëpres kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama”, por edhe liderë të tjerë nga Kosova, pa saktësuar për kë bëhet fjalë...

“...Do të mirëpresim edhe disa nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë, do të mirëpresim shumë njerëz në forumet e biznesit, në takime”, tha Vuçiq.

Analistë në Beograd, ndërkaq, thonë se ftesa për praninë e zyrtarëve nga Kosova krahas kryeministrit shqiptar mund të bëhet me rastin e fillimit të punimeve në autostradën Nish-Tiranë, që kalon nëpër Kosovë.

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, i tha Radios Evropa e Lirë se në këtë ceremoni mund të marrë pjesë ose kryeministri ose presidenti i Kosovës...

“Me sa jam i njoftuar, përveç Edi Ramës, në bisedat politike me këtë rast, do të vijë edhe Isa Mustafa (kryeministri i Kosovës) ose Hashim Thaçi (Presidenti i Kosovës). Ky është fakti se autostrada po financohet në kuadër të procesit të Berlinit “Ballkan gjashtë”, anëtar i së cilës me të drejta të plota është edhe Kosova”, thotë Dushan Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Takimet ndërmjet liderëve të rajonit, posaçërisht atyre nga Kosova dhe Serbia, gjithnjë kanë ngritur tensione dhe mosbesime të thella, sado që në forume të ndryshme ndërkombëtare, takimet ndërmjet tyre kanë qenë të shpeshta.

Analisti i çështjeve politike Halil Matoshi thotë për Radion Evropa e Lirë se shkuarja e presidentit të Kosovës në një takim në Beograd me zyrtarë të lartë të këtij shteti nuk do ta paraqiste ndonjë problem, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën dhe atë e trajton si provincë serbe.

“Në preambulën e Kushtetutës së Serbisë, Kosova është krahinë serbe pjesë përbërëse e Serbisë dhe zotin Thaçi në Beograd do ta konsiderojnë si një lider lokal të të ashtuquajturës provincë serbe të Kosovës. Takimi mund të realizohet, por nuk pres që do të ndryshojë politika serbe ndaj shqiptarëve dhe në veçanti ndaj Republikës së Kosovës”, thotë Matoshi.

Deklarimet për mundësinë e udhëtimit të udhëheqësve nga Kosova në Serbi dhe pjesëmarrjes në çfarëdo ngjarje erdhën në kohën kur Prishtina dhe Beogradi për shkak të problemeve të brendshme shënuan ngecje në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Posaçërisht mundësia për takime në Serbi erdhi kur Joe Biden, nënpresidenti amerikan, në vizitën e tij dyditëshe në rajon kërkoi nga të dyja palët më shumë angazhim në rrugën e përbashkët evropiane dhe më shumë përparim në marrëdhëniet ndërmjet tyre.

Behlul Beqaj, analist i pavarur, tha për Radion Evropa e Lirë se një takim i mundshëm i krerëve të Beogradit dhe Prishtinës do të jetë i vështirë, por jo i parealizueshëm, kur kihet parasysh presioni që mund të bëhet në Beograd dhe në Prishtinë për këto takime.

“Paraprakisht janë deklaruar se shkaku kryesor i vizitës së Biden ka qenë Beogradi, ndërkaq vizita në Kosovë ka qenë vetëm një shkas. Me vet këtë fakt, ndikimi i tij për proceset e reja në Beograd do të ketë një rezultat dhe mund të jetë pikërisht kjo që të takohen krerët e shteteve të Beogradit dhe Prishtinës, me qëllim të zgjidhjes së disa çështjeve serioze që janë të hapura tani e një kohë të gjatë”, thekson Beqaj.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të zyrës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës dhe presidentit Hashim Thaçi nuk kanë dashur të flasin për një çështje të tillë.

Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi është i dënuar për krime lufte nga një gjykatë në Prishtinë, në kohën e dominimit të Sllobodan Milosheviqit dhe vitin e kaluar kur u përfol se do të merrte pjesë në një tubim të një organizate joqeveritare në Serbi, nga niveli më i lartë iu dërgua porosia se dënimi nuk i është hequr dhe nëse vjen, do të arrestohet.

Normalizimi i marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë konsideruar si një parakusht për Serbinë dhe Kosovën në rrugën e tyre evropiane dhe takimet e liderëve të të dyja vendeve, pavarësisht vështirësive në të kaluarën, nuk kanë bërë bujë të madhe në kohët e fundit.

Takimi në nivelin më të lartë ndërmjet të dyja shteteve, ishte ai i shkurtit të vitit 2013 ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe presidentit Tomisllav Nikoliq, dhe kjo shënoi edhe fundin e periudhës së akullt të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Të dyja palët nisën dialogu për normalizim të marrëdhënieve që prej vitit 2011, fillimisht në nivel teknik, me lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe arritën që brenda vitesh të nënshkruajnë një varg marrëveshjesh, në mesin e të cilave marrëveshjen kornizë të Prillit 2013, që i hapi kandidaturën Serbisë për në BE dhe Kosovës i mundësoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Megjithëse e kanë pranuar se pengesa kryesore në rrugën për anëtarësim në BE është Kosova dhe pranimi i pavarësisë së saj, udhëheqësit serbë nuk kanë pranuar që ta heqin nga Kushtetuta e Serbisë përcaktimin e Kosovës si pjesë të saj, dhe shumë herë kanë refuzuar pjesëmarrjen në takime ku kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit shqiptarë. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG