Ndërlidhjet

Zaev beson se zgjedhjet në Maqedoni do të mbahen më 11 dhjetor


 Zoran Zaev
Zoran Zaev

Lideri i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev, pret që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktohen për 11 dhjetor.

Ai tha se nuk beson që moszgjedhja e anëtarit të pestë të Komisionit ad-hoc për mediet, do të çojë në shtyrjen e sërishme të datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

"Mendoj se nuk është fundi i botës. Ne nuk duhet të lejojmë që për një arsye të vogël të shtyhet prezantimi i qëndrimeve për plotësimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve, në bazë të së cilave do të caktohet data e zgjedhjeve. Unë besoj se më 31 gusht liderët e katër partiake do të shpallin 11 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve”, deklaroi të dielën, Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate.

Ai tha se ekzistojnë kritere në bazë, të së cilave katër anëtarët e zgjedhur nga partitë, si ekspertë të sferës mediatike, “duhet të ulen, të shkundin pak kokën dhe ngadalë t’i stabilizojnë mendimet, të orientohen dhe ta zgjedhin anëtarin e pestë”.

Anëtari i pestë duhet të zgjidhet mes komunikologut Sefer Tahiri, i cili ka mbështetjen e dy anëtarëve të propozuar nga opozita dhe ish-anëtarit të Komisionit për Lustrim, Daut Dauti, që ka mbështetjen e partive në pushtet.

Lideri i opozitës, Zoran Zaev, theksoi se zgjedhja e anëtarit të pestë të Komisionit ad-hoc dhe pastrimi i listës zgjedhore, janë minimumi i kritereve për mbajtjen e zgjedhjeve lira dhe demokratike.

XS
SM
MD
LG