Ndërlidhjet

Pushteti dhe opozita mobilizohen para seancës për Demarkacionin


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Partitë e koalicionit qeverisës në njërën anë dhe opozita në anën tjetër, po i konsolidojnë radhët e tyre në prag të seancës plenare të 1 shtatorit, kur pritet të vihet në votim në Kuvend, ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Dy partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë mbledhur ndaras kryesitë e tyre dhe në fund i kanë dhënë mbështetje ratifikimit të marrëveshjes, ndonëse ka deputetë që në forma individuale janë deklaruar se nuk do ta votojnë këtë marrëveshje.

“Duke votuar për ratifikimin e marrëveshjes, deputetët e LDK-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e interesave shtetërore, për liberalizimin e vizave, për fuqizimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës, për forcimin e partneritetit me SHBA-të, për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur”, thuhet në qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, opozita ka qëndrime të qarta kundër Demarkacionit, por format e kundërshtimit dallojnë.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar kundërshtimin e kësaj marrëveshje si me aktivitete në Kuvend ashtu edhe me protesta në rrugë.

Deputeti dhe ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë një konference për media, është shprehur i bindur se opozita dhe sidomos Vetëvendosje, do ta pamundësojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në seancën e 1 shtatorit.

“Nuk do të kisha thënë protestë e qetë, sepse jemi njerëz të shqetësuar dhe njerëzit e shqetësuar nuk dalin në protestë të qetë. Por, do të jetë protestë paqësore. Do të jetë protestë masive dhe natyrisht që me vendosmërinë tonë të cilën do ta shihni nesër jam i bindur që ne do t’ia arrijmë që ta ndalim Demarkacionin”, ka thënë Kurti.

“Pra, unë jam i bindur dhe shumë i qartë se çfarë synojmë, çfarë duam dhe çfarë do të arrijmë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, dy subjektet tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë ritheksuar se nuk do të jenë pjesë e protestës së thirrur nga Vetëvendosje, por kanë ftuar liderët e institucioneve që të heqin dorë nga marrëveshja aktuale me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk ka kursyer fjalë, për të akuzuar tre udhëheqësit më të lartë të shtetit se me marrëveshjen aktuale, siç ka thënë ai, po shesin territorin e vendit.

“U bëjnë thirrje shpirtrave të shitur Veseli, Thaçi e Mustafa, shpirtrave të shitur e të prishtë, të mos guxojnë me ia ba këtë të keqe Rugovës dhe vendit. Kjo nuk agjendë e rreme, nuk është provincializëm. Nuk mund të fshihen këta shpirtra të shitur, këta hajna, as prapa miqësisë me Amerikën. Ky është kulmi i shpirtrave të shitur”, ka thënë Haradinaj.

"Kundërshtimi ynë nuk është luftë për pushtet dhe as provincializëm , por është për ta mbrojtur tokën e shenjtë", ka deklaruar ai.

Me gjithë tensionet politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, Kuvendi i Kosovës pritet që më 1 shtator të diskutojë dhe më pas edhe votojë për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare. Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të nevojiten dy të tretat apo 80 vota të deputetëve.

Kauza e opozitës për kundërshtimin e marrëveshjes aktuale për Demarkacionin bazohet në bindjet e shprehura se me anë të saj, Kosova humb një territor prej mbi 8 mijë hektarë tokë.

Një kauzë e tillë, është hedhur poshtë nga udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, sipas të cilëve, Demarkacioni është bazuar mbi një marrëveshje të drejtë dhe reale. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG