Ndërlidhjet

logo-print

Njohësit e çështjeve politike thonë se marrëveshja politike për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor, ka gjasa të përballet me obstruksione për t’u mos u jetësuar gjatë periudhës së ardhshme.

Kuvendi i Maqedonisë të premten pritet votojë për formimin e qeverisë teknike e cila duhet të krijojë kushte për realizimin e një procesi të besueshëm zgjedhor.

Partia maqedonase në opozitë thotë se së shpejti do të vendoset për emrat që do të drejtojnë dikasterin e policisë dhe atë të punës dhe politikës sociale nga radhët e opozitës.

Komisioni ad hoc i medieve pritet të verifikoj kandidaturën e anëtarit të pestë Lulzim Haziri për të cilin dje ranë dakord liderët e katër partive politike.

Xhelal Neziri, njohësi cështjeve politike, thotë se ka më shumë nyje që marrëveshja e arritur mes katër partive politike të mos funksionojë dhe që data e caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të dështojë.

“Gjithçka do të varet nga ajo sa palët që kanë vënë firmën e tyre do të kenë vullnet të zbatojnë të gjitha pikat e saj. Ka shumë parakushte që zgjedhjet edhe pas caktimit të datës të mos mbahen, nëse nuk plotësohen obligimet e marra. Mendoj se asgjë nuk është definitive... Në këtë moment nuk kemi asnjë garancë që mbajtja e zgjedhjeve më 11 dhjetor të jetë definitive”, konsideron Neziri.

Politologu maqedonas Nikolla Dujovski shprehet më optimist. Thotë se pavarësisht obstruksioneve të cilat mund të jenë më të theksuara gjatë periudhës së ardhshme, marrëveshja e arritur mes liderëve të katër partive politike është bazë e mirë që më 11 dhjetor në Maqedoni të organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe me këtë t`i jepet dhe fund krizës politike.

“Mendoj se kjo marrëveshje e arritur mes liderëve të katër partive politike do ta çojë vendin në zgjedhje më 11 dhjetor, edhe përkundrejt problemeve të shumta të cila me shumë gjasë do të hapen ditëve në vijim".

"Gjatë periudhës së ardhshme priten zhvillime të cilat do ta minojnë procesin e realizimit të kësaj marrëveshje veçanërisht në pjesën që ka të bëj me punën e Prokurorisë Speciale publike, pastaj komisionit ad hoc të medieve që duhet të monitoroj procesin e zgjedhjeve gjithsesi probleme do të paraqiten edhe në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve”, konsideron Dujovski.

Ndryshe pas arritjes së marrëveshjes për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni, lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev ka porositur se askush nuk guxon të bllokojë punën e Prokurorisë Speciale Publike.

Ndërkohë lideri i VMRO DPMNE-së ish kryeministi Nikolla Gruevski tha se e merr me rezervë nënshkrimin e vënë në marrëveshje nga ana e Zoran Zaevit për shkak të shtyrjes të zgjedhjeve tanimë dy herë.

Ndërkohë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jess Baily, i cili ka asistuar në arritjen e marrëveshjes mes liderëve të katër partive kryesore në vend tha se marrëveshja e së mërkurës paraqet një hap shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

“SHBA dhe BE, janë krenarë që kanë ndihmuar për marrëveshjen dhe mendojmë se kjo është një hap shumë i rëndësishëm për vendin. Do të vazhdojmë të punojmë për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe qytetarët të votojnë pa frikë. Më e rëndësishmja është se çfarë do të bëjnë partitë, mediet dhe qytetarët, të cilët do të vendosin se a do ta lëvizin vendin drejt rrugës euro-atlantike, në fushën e sundimit të ligjit, mediave të lira dhe çështjeve tjera”, ka theksuar ambasadori amerikan në Shkup Jess Baily. (RFE)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG