Ndërlidhjet

logo-print

Brenda tre ditësh Shkupi goditet nga 12 tërmete 


Ilustrim

Ilustrim

Një varg tërmetesh kanë vazhduar të godasin Shkupin që prej ditës së diel kur u shënua një tërmet prej 5.3 shkallë të Rihterit.

Një tjetër tërmet me intensitet më të ulët u shënua të martën në mëngjes, kurse Enti Sizmologjik bëri të ditur se në mbrëmjen e të hënës, rreth orës 19.53 minuta, një tërmet prej 4.8 shkallë të Rihterit goditi kryeqytetin maqedonas, duke shkaktuar panik në mesin e qytetarëve.

Banorë të shumtë të Shkupit edhe natën e kaluar mbetën jashtë banesave të tyre veçanërisht ata që jetojnë në katet më të larta të ndërtesave.

Gjatë tre ditëve Qendra Sizmologjike njofton se Shkupi është goditur nga 12 tërmete më të vogla pas tërmetit të dytë më të fuqishëm të së dielës pak pas orës 15.

Nga qendra për Menaxhim me Kiza njoftojnë se gjer më sot qytetarët e Maqedonisë kanë paraqitur më shumë se 500 raste dëmtime të objekteve në serinë e tërmeteve në rajonin e Shkupit.

Dëmet e lajmëruara kryesisht kanë të bëjnë me suva të shembura, çati të dëmtuara, xhama të thyera, automjete të dëmtuara.

Qindra banorë të lagjes me shumicë të popullatës rome në Fushë Topanë të Shkupit për të tretën ditë me radhë qëndrojnë jashtë shtëpive të tyre sepse, siç thonë, shtëpitë e tyre janë ndërtuar pa ndonjë standard dhe dridhjet e tokës kanë shkaktuar më shumë çarje në muret e shtëpive andaj kanë frikë të kthehen në shtëpi sepse siç thonë edhe nga lëkundjet më të vogla shtëpitë mund të rrëzohen.

“Po të gjithë ne ikim nga shtëpitë tona sepse të gjitha muet kanë të çara nga tërmeti. Shtëpitë tona mezi se i kemi ndërtuar m ato pak para ,... ato nuk janë të forta kemi frikë se do na shemben mbi kokë”, thotë Alija Abdiov nga Fushë Topanë e Shkupit i cili për tre ditë qëndron nën tendë bashkë me familjen e tij.

Si rrjedhojë e panikut të shkaktuarnga tërmetet pjesa më e madhe e shkollave dhe kopshteve të fëmijëve në Shkup kanë njoftuar se nuk mbahet mësim.

Një pjesë e shkollave në Komunën e Çairit kanë pësuar dëmtime që kanë të bëjnë me të çara të fasadës së mureve të brendshme të klasave për mësim.

Përderisa nga asociacioni i arkitektëve në Shkup thonë se pjesa më e madhe e ndërtimeve në Shkup janë konform standardeve për sigurinë ndaj tërmeteve dhe se ato mund të përballojnë tërmetet siç ishte ai i së dielës mbi pesë shkallë sipas Rihterit.

Mendoj se Shkupi është i përgatitur për tërmete të këtilla sepse tek ne gjithçka projektohet sipas normave dhe standardeve sizmike” thekson Sanja Jovanoviq kryetare Asociacionit të Arkitektëve në Shkup.

Ajo tha se kompanitë e ndërtimeve pas tërmetit katastrofal të 1963 që goditi Shkupin kanë mbajtur më shumë llogari për plotësimin e standardeve sizmike deri në vitet e nëntëdhjeta , duke nënvizuar se këto standarde janë respektuar edhe gjatë ndërtimeve më të reja.

Ndërkohë Isak Idrizi ekspert për çështjen e tërmeteve thotë se gjasat janë shumë të vogla nga ndonjë goditje më të fortë nga tërmeti ditëve në vijim.

“Gjasat janë shumë të vogla që të kemi paraqitjen e tërmeteve të tjera, nëse ato do të paraqiten gjasat janë që ato të kenë intensitet ët ulët. Skenari më i keq nëse supozojmë se goditja më e fortë ende nuk ka ndodhur gjasat janë 10 përkatësisht pesë për qind. Duke pasur parasysh dhe thellësinë e këtyre dridhjeve të gjitha kanë pasur një thellësi të tokës prej 2 deri më katër kilometra, pra bëhet fjalë për një thellësi të cekët andaj dhe efekti ka qenë lokal” nënvizon Isak Idrizi ligjërues në Universitetin Shtetërorë të Tetovës. (REL)


XS
SM
MD
LG