Rusia akuzoi grupet rebele, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, për shkelje të vazhdueshme të armëpushimit në Siri.
Zyrtari i lartë i ushtrisë ruse, Viktor Poznikhir, tha se trupat qeveritare të Sirisë “kanë ndaluar luftimet gjetkë”, pos në zonat ku operojnë grupet ekstremiste: Shteti Islamik dhe Jabhat Fateh al-Sham.
“Për fat të keq, e njëjta nuk mund të thuhet për grupet e armatosura të opozitës së moderuar, e cila kontrollohet nga SHBA-ja”, tha Poznikhir.
“Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit (të hënën), janë regjistruar 23 raste të qitjes në zonat e banueshme dhe në pozicionet qeveritare”, shtoi ai.
Armëpushimi është ndërmjetësuar nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat mbështesin palë të ndryshme në luftën civile të Sirisë.
Kremlini mbështet presidentin Bashar al-Assad, ndërsa Shtetet e Bashkuara përkrahin grupet rebele që duan rrëzimin e tij nga pushteti.