Ndërlidhjet

logo-print

Përplasje e studentëve me policinë para Kishës në Prishtinë


Ilustrim

Ilustrim

Policia e Kosovës ka arritur të vendosë nën kontroll një situatë të tensionuar në kampusin e Universitetit të Prishitnës, kur një numër studentësh provuan të vendosin një pankartë në objektin e Kishës Ortodokse serbe që ndodhet në këtë hapësirë, kanë bërë të ditur zyrtarë policorë.

Policia tha se një pjesëtar i saj u lëndua gjatë përplasjes me studentët, por nuk dha asnjë hollësi për numrin e protestuesve të ndaluar.

Agron Borovci, nga Policia e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se "nuk raportohet për persona të arrestuar nga ana e policisë, përveç vënies nën kontroll të disa prej pjesëmarrësve që kanë qenë jorespektues ndaj rekomandimeve të zyrtarëve policorë që kanë monitoruar protestën”.

Sipas Borovcit, "aktiviteti i studentëve është ndërmarrë në oborrin e Kampusit të Universitetit të Prishtinës përpara Kishës Ortodokse serbe të papërfunduar, përmes së cilit është kundërshtuar funksionalizimi saj”.

Pankarta që studentët provuan të vendosin në objektin e papërfunduar të Kishës Ortodokse mbante mbishkrimin për, siç thuhej, “një objekt të ndërtuar në mënyrë ilegale” dhe ajo u vendos pas tensioneve të ngritura kur policia fillimisht e hoqi atë.

Protesta e studentëve u organizua nga Lëvizja "Studim Kritikë Veprim", së bashku me organizatat tjera të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës dhe kishte për synim bllokimin e punimeve në, sic thuhet, “funksionalizim të saj”.

Flamur Pireva, student i UP-së, njëherësh anëtar i Parlamentit Studentor të këtij universiteti, lexoi një deklaratë, në të cilën thuhet se “Universiteti është vend i dijes dhe feja nuk ka çka kërkon brenda këtij objekti. Kisha Ortodokse serbe që është ndërtuar ilegalisht brenda kampusit të UP-së asnjëherë nuk ka shërbyer si objekt lutjeje e hapësirë e ritualit fetar. Çdo ndërtim me karakter fetar, etnik dhe politik është shkelje e autonomisë e universitetit dhe karakterit universal të vatrës e dijes”.

Kisha në kampusin e UP-së, u ndërtua gjatë viteve '90, nën administrimin serb dhe ajo, pas luftës në Kosovë, u ruajt për një kohë nga forcat ndërkombëtare. Për vite të tëra objekti i pandërtuar i saj nuk u shfrytëzua, ndërkohë që autoritetet kishtare ortodokse serbe kanë kërkuar që ta funksionalizojnë atë.

Çështja e pronës, thonë zyrtarë të komunës së Prishitnës, është kontestuese dhe inspektorët e saj, ditë më parë ndaluan punimet e filluara të një grupi murgjish serbë në pastrimin e objektit dhe oborrit përreth tij.

XS
SM
MD
LG