Ndërlidhjet

New York: Të paktën 29 të lënduar nga një "shpërthim i qëllimshëm"


Kryetari i New Yorkut: Shpërthimi ishte i qëllimshëm
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:43 0:00

Kryetari i New Yorkut: Shpërthimi ishte i qëllimshëm

Të paktën 29 persona janë plagosur nga një shpërthim në një qark të qytetit të New York-ut.

Shkaku i shpërthimit të së shtunës në Chelsea mbetet akoma i paqartë.

Kryetari i qytetit, Bill de Blasio ka thënë se shpërthimi është i “qëllimshëm”, por ka shtuar se nuk ka akoma informacione se mund të jetë i lidhur me terrorizëm.

Një tjetër mjet shpërthyes është gjetur më vonë në të njëjtin qark.

Njëri prej 29 personave ka marrë lëndime serioze, kanë njoftuar autoritetet amerikane. Shumica prej tyre kanë pësuar prerje dhe dëmtime të tjera të vogla, që janë shkaktuar nga thyerjet e xhamave.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 21:00 sipas kohës lokale. Dëshmitarët kanë thënë se pas shpërthimit, njerëzit kanë filluar që të ikin në të gjitha drejtimet, raporton BBC.

Raporte ende të pakonfirmuara thonë se mjeti shpërthyer ishte futur në një kosh.

Disa blloqe në New York, tashmë janë mbyllur nga policia.

“Indikacionet e para thonë se ky është një akt i qëllimshëm”, tha de Blasio.

“Ne duam gjithashtu të themi se nuk kemi prova që e lidh këtë incident me terrorizëm”, ka shtuar ai.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë thënë se mjeti i dytë shpërthyes që është gjetur në Chelsea, duket të jetë një tenxhere me presion, që kishte një qark elektrik dhe një telefon celular. Policia tha se ka arritur që ta largojë mjetin, njofton agjencia e lajmeve AFP.

Chelsea është njëri prej zonave më në modë në Manhattan, ku ka bare dhe restorante dhe zakonisht kjo zonë është e mbushur me njerëz gjatë fundjavës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama është duke u mbajtur i informuar lidhur me hetimet që po zhvillohet për këtë ngjarje, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Hetuesit kanë filluar që të shikojnë regjistrimet e kamerave të vëzhgimit të lokaleve pranë vendit të shpërthimit.

CNN raporton se hetuesit janë duke shikuar një video ku duket një person afër zonës së shpërthimit, në mënyrë që të mësojnë nëse ai ka lidhje me shpërthimin.

Nga shpërthimi i fuqishëm janë thyer xhama. Banorët e kësaj zone kanë treguar se shpërthimi është dëgjuar edhe disa blloqe më larg.

Danilo Gabriel, 50-vjeçar, banor i Chelseas, ka thënë për CNN se ishte në banesën e tij, që gjendet rreth një bllok larg vendit të shpërthimit.

“Isha në shtëpi duke shikuar TV. Ishte shpërthim i madh. E gjithë ndërtesa ku banoj u dridh. Më pas dola dhe shkova drejt vendit të shpërthimit. Banorët e kësaj zone ishin të parët që arritën në vendin e ngjarjes. Më pas erdhën zjarrfikësit dhe e bllokuan atë pjesë”, ka treguar ai.

“Skena ishte kaotike. Unë ndjeva një erë, që ngjante me erë sulfuri dhe më pas pash tym që dilte nga ndërtesa. Kam parë copëza metali, të cilat nuk ishin shumë të mëdha por as të vogla. Disa shok të mi kanë parë edhe xhama të thyer”, ka treguar ai.

Lidhur me këtë shpërthim është deklaruar kandidatja demorakte për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton.

“Natyrisht se ne duhet të bëjmë gjithçka që të mbështesim zyrtarët që mbërrijnë të parët në vendin e ngjarjes dhe të lutemi për viktimat.Mund të flas më shumë, kur të kem më shumë informacione”, ka shtuar Clinton.

Ndërkaq, duke folur gjatë një tubimi në Colorado, kandidati republikan, Donald Trump i ka njoftuar mbështetësit e tij për ngjarjen.

“Askush nuk e di me saktësi çfarë është duke ndodhur por ne jemi duke jetuar në një kohë, më mirë është që të bëhemi shumë të fortë”, ka thënë Trump.

Bombat në formë të tenxheres me presion ishin përdorur edhe më herët. Në Maratonën e Bostonit, ku u vranë tre persona dhe u plagosën 260 të tjerë, në vijën e finishit ishin shpërthyer dy bomba me presion, nga dy vëllezër çeçen.(M. Sadiku)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG