Ndërlidhjet

Rishikimi i buxhetit fut në luftë të ashpër verbale pushtetin dhe opozitën


Foto nga Arkivi - Parlamenti i Maqedonisë
Foto nga Arkivi - Parlamenti i Maqedonisë

Në procedurë parlamentare tanimë dy javë është propozimi për rishikimin e buxhetit të Maqedonisë, ku zhvillohet një debat i ashpër mes pushtetit dhe opozitës.

Përderisa partitë në pushtet thonë se rishikimi i buxhetit të shtetit në fokus ka ndihmesën e banorëve në zonat e vërshuara, duke siguruar 36,4 milionë euro shtesë për zhdëmtimin e tërësishëm nga vërshimet, opozita maqedonase thotë se duhet të bëhet vetëm ridestinimi i mjeteve nga investimet jokapitale në zhdëmtimin e banorëve që pësuan nga vërshimet, për të shpëtuar arkën e shtetit nga marrja e borxheve të reja.

Ndryshe, ky është rishikimi i dytë i buxhetit të shtetit brenda dy muajve.

Krahas kësaj, Qeveria e Maqedonisë është duke diskutuar për propozim/ buxhetin për vitin 2017-të, dy muaj më herët se zakonisht, për shkak të caktimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor të këtij viti.

Partitë opozitare kanë propozuar qe Qeveria të miratojë financim të përkohshëm për shkak të zgjedhjeve të dhjetorit, por ky propozim është shpërfillur nga qeveria, duke vendosur të miratojë buxhet të rregullt.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se pushteti nuk do të heq dorë nga synimi për të miratuar buxhetin e 2017, madje edhe në rast se situata tensionohet, si në ngjarjet e 24 dhjetorit gjatë vitit 2014, me ç`rast me forcë deputetët e opozitës u larguan nga parlamenti gjatë miratimit të buxhetit të shtetit.

Arben Halili, ekspert i ekonomisë, thotë se rishikimi i dytë i buxhetit të Maqedonisë brenda dy muajve dhe projektimi i buxhetit për vitin 2017 bëhet në periudhën kur brenda dy ose tre muajve duhet të mbahen zgjedhjet, andaj destinimi i çdo qindarke në këtë rast matet me peshoren politike dhe jo atë të zhvillimit ekonomik.

“Sigurisht se ky vit do të jetë viti kur sjella e buxhetit do të jetë skajshmërisht e politizuar, ku gjithçka, do të thosha çdo shifër e propozuar në propozim buxhetin, do të jetë shifër e cila do të interpretohet në aspektin politik, varësisht nga tabori që njëra ose pala tjetër përfaqësojnë”, vlerëson Arben Halili.

Ndërsa, Sllobodan Najdovski, ish deputet, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Shkupit, thotë se partitë në pushtet për gjatë dhjetë viteve të fundit kanë instaluar sistemin e demonstrimit të forcës kur bëhet fjalë për miratimin e ligjeve ose vendimeve të ndryshme që ndërlidhen me financat, veçanërisht ku miratohet buxheti vjetor i arkës shtetërore ose rishikimet e buxhetit.

“Është instaluar një praktikë që të mos përfillet zëri jo vetëm i opozitës, por i asnjë deputeti i cili mendon ndryshe nga pushteti. Kur bëhet fjalë për miratimin e buxhetit të shtetit, qeveria, e kryesuar nga VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, në plan të parë vendosin interesat e kategorive të ndjeshme, siç janë ndihmat sociale, por e vërteta është se realisht për përmirësimin e standardit jetësor ndahen mjete shumë më pak sesa për projektet jokapitale, përmes së cilave përfitojnë gupe të caktuara të strukturave udhëheqëse të shtetit”, thekson Sllobodan Najdovski.

Ai shton se pushteti sjelljen agresive gjatë miratimit të buxhetit të shtetit e amortizon përmes mediave, shumicën e të cilave i ka nën kontroll.

Buxheti i ri duhet të votohet më së voni deri më 12 tetor, datë kur duhet të shpërndahet Kuvendi, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, të caktuara për datën 11 dhjetor, përderisa opozita maqedonase, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, tha se do angazhohet ta bllokojë miratimin e buxhetit për vitin 2017, duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat demokratik. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG