Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Numri i njerëzve të vrarë në Burlington arriti në pesë


Pamje e një aksioni të pjesëtarëve të policisë amerikane

Pamje e një aksioni të pjesëtarëve të policisë amerikane

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara thonë se ka vdekur një person i cili ishte plagosur në mënyrë kritike gjatë të shtënave në një qendër tregtare në veri të qytetit Sietël.

Tash numri i të vrarëve arriti në pesë vetë, pasi një sulmues i armatosur i kishte vrarë edhe katër femra në këtë qendër tregtare.

Duke u shprehur për numrin e të vrarëve në qendrën, Cascade Mall, në Burlington, zëdhënësi i policisë shtetërore në Uashington, Mark Francis, tha:

“Katër femra vdiqën brenda shitores Macy’s, ndërsa një mashkull në qendrën mjekësore Harborview”.

Mëtutje, ai theksoi se autoritetet janë në kërkim të të dyshuarit, por “nuk ka indikacione specifike se ku është ai” dhe ka shtuar se policia ishte në kërkim të një personi hispanik, i veshur me rroba të zeza dhe i armatosur, i cili së fundit ishte parë duke u larguar nga qendra kah një autostradë.

Të shtënat kanë ndodhur mbrëmë pas orës 19:30, sipas kohës lokale, në qytetin Burlington, që është afro 100 kilometra në veri të Sietlit.

Rrjeti NBC News e ka cituar policinë e Uashingtonit që ka thënë se nuk ka indikacione se ky ishte një akt terrorist.

Rrjeti KOMO News në Sietël i ka cituar dëshmitarët që kanë thënë se sulmuesi kishte hyrë në dyqanin Macy’s në qendrën, Cascade Mall, dhe kishte hapur zjarr.

Sipas këtij rrjeti, bizneset e afërta ishin evakuuar.

XS
SM
MD
LG